Liqeni i Prespës po zhduket. Shteti po humb një nga liqenet më të vjetër në Evropë, i cili ditë pas dite po i ngjan gjithnjë e më shumë një moçali. Nëse dikur sipërfaqja e liqenit ishte 284 kilometra katrorë, tani është vetëm 259. Për disa dekada niveli është ulur plot 12 metra. Në lagjen turistike Krani, kjo shihet qartë. Duhet të ecësh qindra metra përmes liqenit që të arrihet një nivel i mjaftueshëm për të notuar. Kërkohet ndërmarrja e masave urgjente sipas shembullit të Liqenit të Dojranit.
„Nëse vazhdon kështu, sigurisht do të thahet. Këtu deri atje është tharë për dy javë. Ne ishim në Kavadar dhe tani që erdhëm, për dy javë është tharë 50 metra. Duhet të ndërmerret diçka. Askush nuk bën asgjë. Mesazhi kryesor është që të ndërmerren masa, me ndonjë lumë. Ka pasur edhe rreth 1000 pompe të vendosura për vaditje në liqen, ato duhet të hiqen, do të bëhet më mirë“, tha një turist.
„Kur erdha dhe e pashë se si është, madje më erdhi të qaj. Më vjen shumë keq që liqeni është kështu, që nuk ka ujë. Ditë pas dite do të zhduket dhe nuk do të ekzistojë. Nëse nuk ka liqen, kampet do të mbeten bosh, të gjithë do ta lëshojnë, ndërsa njerëzit kanë dhënë para për t’i blerë“, shtoi një tjetër.
„Nuk e di sa po zbret liqeni çdo ditë, rreth 2 centimetra në ditë, dhe kjo për këtë sipërfaqe është shumë ujë. Askush nuk po ndërmerr asgjë nga autoritetet, nga kushdo, nuk po themi as këta as të tjerët. Më shumë kanë kthyer vëmendjen te Dojrani dhe Ohri“, tha një banor i Prespës.
Banorëve të Prespës u vjen keq për ditët e bukura, kur mijëra turistë çdo verë pushonin këtu.
„Unë e mbaj mend kur në vitin 1986 ishte niveli më i lartë i ujit. Liqeni arrinte deri tek restoranti lart. Sa për gjatësi, është tërhequr 500-600 metra, ndërsa sa për lartësi rreth 20 metra e më shumë. Nuk është si më parë. Kur niveli i ujit ishte i lartë, ishte ndryshe. Tani ka vetëm shkurre dhe tërheqje, çdo vit bëhet gjithnjë e më i cekët“, shtoi një tjetër.
„….kishte plazh të gjatë 3 kilometra, në një fundjavë ishin të pranishëm më shumë se 10,000 notues. Prespa tashmë është e vdekur“, tha një banor.
Sipas analizave të profesorit nga Fakulteti Teknik në Manastir, Dejan Trajkovski, për dy vite liqeni po humb rreth 50 centimetra në vit, ose rreth 125 milionë metra kub ujë. Këtë shtator niveli është 55 centimetra më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Trajkovskit, nëse vazhdon tendenca aktuale e zvogëlimit, mund të ndodhë që pas 60 vjetësh 90% e sipërfaqes së tij të thahet dhe të mbeten vetëm katër gropa më të mëdha. Gropa më e madhe do të jetë 30 metra e thellë në hyrje të Gjirit të Nivickës në Greqi. Katër të tjera do të ishin në territorin e Maqedonisë me thellësi prej 10 metrash./Alsat.mk

Share.
Exit mobile version