
Deputeti njëherit kandidat i Levicës për Qytetin e Shkupit, Amar Mecinoviq, ka mohuar zërat për bashkëpunim me BDI-në në komunat shqiptare në të cilat “Levica” ka nxjerrë kandidat për kryetar komune.
Mecinoviq për “TV Shenja” ka deklaruar se debati që po zhvillohet aktualisht në këtë fushatë është alarm dhe se nuk duhet qytetarët të përfshihen në këtë. Sipas Mecinoviq, OBRM-PDUKM-ja nuk është ajo e cila vendos se në cilat komuna “Levica” do të nxjerrë kandidat.
“Partitë që janë pjesë e Qeverisë po krijojnë një narativ të tillë, me të cilin po tentojnë të na e mohojnë të drejtën të kandidojmë me kandidatët tonë aty ku ne vlerësojmë se duhet të kandidojmë. As në mënyrë zyrtare po as shoqërore, bashkëpunim me BDI-në nuk kemi dhe prapë do ta theksoj se edhe unë kur dola si kandidat për Qytet të Shkupit OBRM-PDUKM-ja doli me qëndrim se kjo vjen si pasojë e marrëveshjes mes BDI-së dhe “Levicës” për të penguar fitoren e tyre që nga rrethi i parë”, tha Mecinoviq.
Mecinoviq foli edhe për akuzat se pse si parti nuk kanë nxjerrë kandidat në komunat me shumicë maqedonase. Po ashtu theksoi se, në Shkup po edhe në komunat tjera në të cilat garojnë presin rezultate relativisht të mira.
Ndryshe, partitë në pushtet se fundmi kanë drejtuar akuza në adresë të BDI-së se ka krijuar aleancë të fshehtë me “Levicën” e Dimitar Apasiev dhe ka kërkuar që kjo e fundit të nxjerrë kandidat në Strugë, Tetovë dhe Gostivar për të penguar fitoren e kandidatëve të VLEN nga rrethi i parë.