
Në Bruksel u zhvillua një takim, ku morën pjesë Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Transportit të Maqedonisë së Veriut, Stefan Volkanovski, Drejtori i PE Infrastrukturës Hekurudhore, Sinisha Ivanovski, Zëvendësministri i Transportit dhe Komunikacionit të Bullgarisë, Ljuben Nanov, dhe u organizua nga Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë Lindore (DG ENEST).
Siç raportohet nga Ministria e Transportit, në takimin, i cili u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe konstruktive, si vazhdim i takimit të fundit të mbajtur në tetor 2024, u shkëmbyen mendime dhe u konfirmua angazhimi dhe nevoja për finalizimin e seksionit të korridorit hekurudhor VIII.
“Të dyja palët diskutuan progresin e bërë në muajt e fundit dhe ranë dakord për nevojën e ripërtëritjes së përpjekjeve për përgatitjen e studimeve dhe një tenderi për përfundimin e seksioneve ndërkufitare të korridorit, me një fokus të veçantë në zgjidhjen e tunelit.
Në takimin e nivelit të lartë u ra dakord për hapat që duhen ndërmarrë në muajt e ardhshëm, duke identifikuar prioritetet, përfshirë rihapjen e tenderit për punimet në seksionin hekurudhor midis Kriva Pallankës dhe hyrjes në tunelin ndërkufitar deri në fund të vitit 2025 nga Maqedonia.
Ata diskutuan gjithashtu aktivitetet e palës bullgare dhe aktivitetet që po ndërmarrin në seksionin hekurudhor”, thonë nga Ministria e Transportit.
Lidhur me projektin e përbashkët për ndërtimin e tunelit ndërkufitar midis Gjueshevës dhe Deve Bairit, të dyja palët ranë dakord të formojnë grupe pune që do të finalizojnë tekstin e marrëveshjes ndërqeveritare deri në fund të korrikut, me qëllim përcaktimin e detyrimeve specifike të të dyja palëve për aspektet teknike, financiare, të ndërtimit dhe operacionale./Telegrafi/
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria së bashku do të ndërtojnë tunelin në Gjueshevë dhe Deve Bair appeared first on Telegrafi.