41 për qind e të rinjve kanë qëndrim pozitiv ndaj Bashkimit Europian, por skepticizmi po rritet – pothuajse gjysma nuk besojnë se Maqedonia do të bëhet pjesë e BE-së së shpejti. Këto janë rezultatet nga mbi 1.000 të rinj nga Maqedonia që morën pjesë në një anketë online të realizuar nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike, Qendra Evropiane për Ekselencë nga Brukseli dhe Fondacioni “Friedrich Naumann”.
Korrupsioni është përmendur më së shpeshti si pengesa më e madhe për integrimet evropiane – madje 84 për qind e të rinjve e konsiderojnë atë si problem kyç. Pas saj vijnë mosmarrëveshjet bilaterale dhe mosbesimi në institucione.
“Deri tani nuk janë krijuar kushte reale për integrime europiane, nuk janë krijuar kushte reale për përfshirjen e të rinjve në procese. Dhe këtu vijmë te çështja e dytë – që përfshirja e të rinjve në të gjitha proceset, përfshirë edhe në procesin e integrimeve europiane, është e pamjaftueshme dhe mungon roli i tyre më serioz në këtë proces”, u shpreh Bojan Kordalov – komunikolog.
Edhe pse 53 për qind e të rinjve thonë se janë mjaftueshëm të informuar për vlerat europiane, interesin kryesor e përqendrojnë në mundësitë për punë dhe arsimim në vendet e BE-së. Në pyetjen se cili shtet i rajonit do të bëhet i pari anëtar i Bashkimit, të rinjtë më së shpeshti e përmendin Shqipërinë, pastaj Malin e Zi, ndërsa Maqedonia është shumë më poshtë në listë me vetëm 8 për qind.
“Në krye të listës së pritjeve për anëtarësim në BE janë Shqipëria dhe Mali i Zi, dhe mendoj se kjo është rezultat i sinjaleve gjithnjë e më të zëshme nga BE-ja por edhe vetë nga këto vende, si Shqipëria dhe Mali i Zi, se janë realisht më të avancuara në proces dhe se vazhdimisht hapin kapituj të rinj, përparojnë në rrugën e tyre dhe definitivisht të rinjtë janë mirë të informuar – sado që ne të përpiqemi t’i interpretojmë ndryshe, ata e dinë qartë dhe i ndjekin këto informacione”, shtoi Bojan Kordalov – komunikolog.
Sipas ekspertëve, rezultatet janë një alarm për institucionet vendore dhe një sinjal se të rinjtë presin masa konkrete për rikthimin e besimit në të ardhmen europiane. Ankesa është pjesë e një analize më të gjerë që do të prezantohet në një publikim tematik me rekomandime për institucionet për përballimin e euroskepticizmit dhe nxitjen e vlerave europiane mes të rinjve./TV21/
Maqedoni, 41% e të rinjve kanë qëndrim pozitiv ndaj Bashkimit Europian appeared first on Telegrafi.