
Të mërkurën deputetët do të duhet të zgjedhin kryeprokurorin e ri por edhe për zgjedhjen e anëtarit të ri të Këshillit Gjyqësor. Për prokuror të ri publik të shtetit, Qeveria ka propozuar gjyqtarin nga Gjykata Penale e Shkupit, Nenad Savevski.
“Propozimi i Qeverisë për prokuror të ri publik të shtetit ka arritur në Kuvend dhe tashmë është caktuar seanca për më 18.03.2026. Sa i përket procedurës për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, ende nuk ka vendim, por pritet që edhe kjo çështje të përfshihet në seancën e Kuvendit më 18.03.2026”, thanë nga Kuvendi.
Arbër Isaku dhe Sejfulla Osmani janë dy kandidatët prej të cilëve njëri do të zgjidhet për anëtar të Këshillit Gjyqësor. Isaku ka punuar në sektorin privat por edhe në institucione shtetërore. Ka qenë shef i kabinetit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë. Osmani gjatë karrierës së tij ka punuar si gjyqtar në Gjykatën Themelore të Gostivarit ka qenë avokat dhe profesor universitar.




