
Kuvendi sot e miratoi rendin e ditës të mbledhjes së 59-të nga i cili paraprakisht u hoq pika për interpelancën e kryetarit të Gjykatës kushtetuese, Darko Kostadinovski. Pika u hoq me propozim të deputetit Boban Karapejovski nga ZNAM, me arsyetimin se “nuk dëshirojnë të marrin pjesë në dhunën juridike ndaj Kushtetutës”. Ndaj kësaj, me vërejtje procedurale reaguan deputetë nga Fronti evropian të cilët kërkuan që pika të kthehet sërish.
Halil Snopçe kërkoi sërish të votohet për pikën, ndërsa koordinuesi i Frontit Evropian, Blerim Bexheti tha se nuk do të lejojnë të diskutohet dhe se “do ta bllokojnë foltoren” për pikat e tjera të rendit të ditës nëse nënkryetarja Vesna Bendevska nuk e vendosë propozimin e deputetit Snopçe në votim.
Anëtarët e Frontit Evropian qëndruan në foltore, ndërsa Bendevska bëri thirrje që të votohet rendi i ditës dhe ai u votua.
Sipas deputetit Oliver Spassovski nga LSDM, nuk guxon të inicohet interpelanca për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, sepse ai nuk është funksionar që Kuvendi duhet ta vlerësojë, dhe shtoi se kryetari i Kuvendit nuk duhej ta kishte vendosur atë pikë në rend dite. Përderissa, deputeti Dimitar Apasiev nga E Majta reagoi se Gjykata Kushtetuese është organ shtetëror dhe nuk ka arsye përse të mos votohet interpelanca, duke akuzuar për “majorizim klasik nga ana e shumicës në pushtet”.
Si pjesë e rendit të ditës sot u konfirmuan disa propozim-ligje dhe pika të propozuara nga pushteti, siç janë zgjedhja e anëtarit të Komitetit për marrëdhënie mes bashkësive nga rendi i komunitetit rom, si dhe disa propozim-ligje në lexim të parë dhe të dytë, mes të cilave për të punësuarit në sektorin publik, nëpunësit administrativ, përsosjen profesionale, Radiodifuzionit e Maqedonisë, veprimtarinë shkencoro-hulumtuese, shërbimet pagesore, sigurinë në komunikacion, aviacionin, veprimtarinë turistike, trashëgiminë kulturore, bibliotekat, çmimet shtetërore dhe Kodin penal.
Plotësisht, në rendin e miratuar të ditës janë edhe raportet për punën e Agjencisë për Aviacion Civil dhe Agjencisë për Supervizion të sigurimeve për vitin 2024, si dhe propozim-vendimi për shpallje të konkursit për zgjedhje të Avokatit të Popullit, së bashku me ndryshimet e ligjeve për automjete dhe sigurim shëndetësor, me procedurë të shkurtuar.
Të gjitha ligjet e propozuara nga opozita, përfshirë edhe propozim-ligjin për marrëdhënie të punës, ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për sigurim shëndetësor, sigurim social, tatim të të ardhurave personale, mbrojtje sociale, tatimin e vlerës së shtuar, mbrojtjen e fëmijëve, akcizat, tatimin e përfitimit dhe sigurimin penasional dhe invalidor, nuk u konstatuan si pjesë e rendit të ditës të mbledhjes.
Hiqet pika për interpelancën kundër kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Fronti Europian bllokon foltoren e Kuvendit appeared first on Telegrafi.