Zv.kryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, sot në konferencë për shtyp tha se nga 1 janari 2026 do të hyjnë në fuqi ligje të reja për administratën publike, me të cilat do të shfuqizohet titulli “bashkëpunëtor i ri” dhe “referent i ri”. Ai tha se këto dy terme kanë poshtëruar shqiptarët në çdo zyrë shtetërore.
“Qeveria VLEN ka marrë një vendim historik në kuadër të reformës së administratës publike. Me ligjet e reja për administratën publike, do të shfuqizohen përfundimisht titujt diskriminues “pomlad sorabotnik” dhe “pomlad referent”, që për dy dekada poshtruan shqiptarët në çdo zyrë shtetërore. Me VLEN, nuk ka më “bashkëpunëtor të ri”! Nuk ka më “referent të ri”!”.
“Duke filluar nga 1 janari 2026, të gjithë të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor i ri” do të avancohen automatikisht në gradën “bashkëpunëtor”. Të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor” do të bëhen “bashkëpunëtor profesional”. Ata me arsim të mesëm që mbajnë titullin “referent i ri” ose “referent” do të avancohen në gradën “referent i lartë”. Titulli “referent i lartë” do të zëvendësohet me “referent i pavarur”. Të gjitha këto ndodhin automatikisht, me fuqinë e ligjit, pa procedura shtesë. Këto janë vendim i qartë për dinjitetin e nëpunësve administrativ”.
Ai theksoi se BDI kishte gjithë kohën ta bënte këtë gjë, por nuk deshi apo nuk mundi”.
“Kjo nuk është vetëm drejtësi administrative. Është korrigjim i një padrejtësie historike. Është politikë me integritet. Këtu bëhet fjalë për fuqizimin e shqiptarëve në institucione. Kështu japim një mesazh të qartë: se koha e nënçmimit ka përfunduar.
Tash është koha e respektit dhe e barazisë. Sepse për ne, barazia nuk është slogan fushate, por thelbi i pushtetit. Dhe këtë pushtet ne nuk e përdorim për të sunduar, nënshtruar apo kushtëzua. Pushteti për ne përdoret për të çliruar potencialin e shqiptarëve, për t’ua kthyer shqiptarëve dinjitetin e cunguar”, tha mes tjerash Fetai./Telegrafi/
Fetai: Nga 1 janari 2026 hiqen termet “bashkëpunëtor i ri” dhe “referent i ri” në administratën shtetërore appeared first on Telegrafi.