Vera e vitit 2025 pritet të jetë dukshëm më e nxehtë dhe më e thatë se vlerat mesatare shumëvjeçare, thonë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Në vend ekziston probabilitet shumë i lartë që temperaturat të tejkalojnë vlerat mesatare shumëvjeçare. Devijimi më i madh pozitiv i temperaturës së ajrit nga mesataret shumëvjeçare për këtë sezon pritet të jetë në korrik.
Siç informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), sipas analizave për të gjithë rajonin juglindor të Evropës, temperaturat e verës pritet të arrijnë vlera mbi mesataren.
“Pasiguria tek parashikimet rajonale të reshjeve është gjithmonë më e madhe në lidhje me temperaturat. Pritet gjithë rajoni juglindor i Evropës të përjetojë reshje nën mesataren. Në Maqedoninë e Veriut, devijimi më i madh negativ i reshjeve për këtë sezon pritet të jetë në korrik. Në zonat malore, ekziston probabilitet i lartë që reshjet mesatare të tejkalohen për shkak të episodeve të konvekcionit të shtuar dhe paraqitjes së reshjeve të dendura të shiut”, theksohet në kumtesë.
Mesatarja afatgjatë (1991-2020) për temperaturat e ajrit në stinën e verës është rreth 16°C në zonat malore dhe deri në 26.1°C e matur në Gjevgjeli. Reshjet mesatare në periudhën e verës arrijnë nivelin më të lartë në pjesën lindore, rreth 170 milimetra.
Sipas mesatares shumëvjeçare (1991-2020), temperatura e ajrit në Shkup për qershor, korrik dhe gusht është 22.2°, 24.7° dhe 24.6° C. Sasia mesatare e reshjeve në Shkup për qershorin, korrikun dhe gushtin arrin 47.6, 34.1 dhe 37.4 milimetra.
Nga DPHM-ja potencojnë se në sezonin e ardhshëm të verës ekziston mundësia e periudhave të motit jashtëzakonisht të nxehtë dhe të thatë, si dhe mundësia e devijimeve të theksuara negative nga vlerat mesatare të zakonshme të temperaturës, por edhe depërtime të lagështa. Herë pas here, mund të dominojnë variacionet nënsezonale, të cilat nuk janë të parashikueshme shumë kohë më parë, prandaj rekomandohen përditësime të rregullta të parashikimit.
DPHM: Maqedoninë e Veriut e pret një verë e nxehtë dhe e thatë appeared first on Telegrafi.