
BDI sot përmes një kumtese shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në MPB dhe URMV, ku në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike po kryhet degradimi dhe përjashtimi i pjesëtarëve të popullit shqiptar nga pozitat udhëheqëse.
“Rasti i fundit i shkarkimit të të gjithë zëvendësshefave shqiptarë dhe emërimi i të afërmve të Kryetarit të Komunës në Stacionin Policor të Butelit përbën jo vetëm një skandal institucional, por edhe një sinjal të rrezikshëm për rikthimin e ekskluzivitetit dhe diskriminimit në sektorin më të ndjeshëm – atë të sigurisë.
Veçanërisht shqetësues është fakti që kjo ndodh në Butel, një nga komunat më të theksuara multietnike në kryeqytet, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
Emërimet njëetnike dhe partiake në strukturat e sigurisë, si dhe degradimi poshtërues i kuadrove profesionale policore me përkatësi etnike shqiptare, minojnë parimin e përfshirjes, shtyllë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit.
Pikërisht prania dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në polici dhe ushtri ishin parakushte për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike pas vitit 2001.
Sot, po shohim një proces të kundërt: çmontimin e mekanizmave të balancës, që çon drejt rikthimit të mosbesimit dhe ndjenjës së përjashtimit te një popull i tërë”, thonë nga BDI.
Nga atje i bëjnë thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, MPB-së, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë menjëherë dhe pa ekuivoke.
“Sektori i sigurisë nuk guxon të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik”, thonë nga BDI./Telegrafi/
BDI: Sektori i sigurisë nuk guxon të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik appeared first on Telegrafi.