Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj disa raportimeve mediatike që siç quajanë nga BDI, me tituj tendencioz raportuan për idenë e ndarjes së shtetit.
Sipas tyre, këto kualifikime janë të pasakta dhe shtrembërojnë një mesazh të qartë dhe të paanshëm.
“Në deklaratë u theksua se qëllimi është që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, pa u përmendur fare ndarja. BDI dëshiron të kujtojë se, pavarësisht të gjitha sulmeve dhe propagandës gjatë dekadave të kaluara, mbetet e palëkundur në vizionin e saj: Maqedonia të jetë një shtet unitar, i përbashkët dhe i barabartë – jo i ndarë, por gjithmonë atdheu ynë i përbashkët. U bëjmë apel mediave për informim profesional dhe të përgjegjshëm, që nuk do të nxisë perceptime të gabuara dhe keqkuptime te qytetarët“, thuhet në reagimin e BDI-së.
Reagimi nga BDI vjen pasi mbrëmë nëpër disa media u raportua se Ali Ahmeti në Tetovë tha se nëse Maqedonia nuk anëtarësohet në BE, atëherë disa qytetarë do të zgjedhin Bullgarinë e disa të tjerë Shqipërinë, pasi këto dy shtete fqinje tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian.