
Në “Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor 2025 (WBDS25)” që do të mbahet më 1 dhe 2 tetor në Shkup, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të miratojnë një deklaratë të përbashkët me të cilën i bëjnë thirrje BE-së të përshpejtojë procesin “roaming si në shtëpi” dhe shpenzime zero të internetit për qytetarët tanë në BE. Një muaj më parë, Unioni lëshoi një udhërrëfyes që duhet ta përmbushim si vende për t’u bashkuar me këtë zonë, por nevojitet edhe aktivitet nga ana e tij. Do t’i përfundojmë detyrimet tona deri në dhjetor 2025 dhe pres që vitin e ardhshëm të jem i pari që do ta nënshkruajë marrëveshjen për roaming me shpenzime zero për qytetarët e Maqedonisë, deklaroi sot Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Sipas tij, Maqedonia është shumë përpara sa i përket përmbushjes së kushteve.
“Qëllimi kryesor ishte ndryshimi i Ligjit për Komunikime Elektronike për përmbushjen e rregulloreve dhe direktivave kyçe të BE-së gjë të cilën ne e bëmë këtë verë. Mbesin edhe disa akte nënligjore të cilat duhet t’i përfundojmë deri në fund të këtij viti dhe me këtë do t’i përmbushim kushtet. Jemi në fazë përparimtare, e përgatitëm Planin tonë të Veprimit dhe mendoj se do të jemi të parët në rajon”, theksoi Andonovski.
Siç sqaroi, në parim, çdo shtet i Ballkanit Perëndimor përgjigjet për vete.
“Herën e kaluar, kur u nënshkruan marrëveshjet për roaming në Ballkanin Perëndimor i nënshkruan të gjitha shtetet në të njëjtën kohë. Këtë herë, duke pasur parasysh se është në lidhje me BE-në, do të duhej çdo shtet për vete. Plani i BE-së është për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo mbetet të diskutohet në ‘Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor 2025’ dhe shpresoj që do të kemi përgjigje konkrete për këtë çështje, por detyrimi ynë është ne të jemi të gatshëm deri në janar”, tha ministri.