
Tre pacientë të lënduar në diskotekën në Koçan ende janë jashtë vendit, dy po trajtohen në Turqi dhe një në Slloveni, ndërsa grupi i dytë i të lënduarve në Ponikva do të dërgohet në mesin e korrikut, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Ministrinë e Shëndetësisë.
Për momentin, informacionet në lidhje me pacientët që trajtohen jashtë vendit është se janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Në vendin tonë, u theksua se në Qendrën klinike të kirurgjisë plastike, ka pacientë që ndodhen atje për shkak të thellësisë së lëndimeve, por shëndeti i tyre është i qëndrueshëm. Dy pacientë janë në spitalin privat Sistina. Gjendja e të gjithë pacientëve monitorohet rregullisht.
“Grupi i parë për momentin është në Ponikva, drejt përfundimit, me ta atje janë edhe pesë fizioterapistë që punojnë në programe, një fiziatër specialist dhe një kirurg i përgjithshëm. Të rinjtë atje duan të vazhdojnë, kemi kërkesë nga disa prej tyre për të vazhduar me grupin e dytë. Grupi i dytë do të dërgohet me shumë gjasë në gjysmën e dytë të korrikut”, u përgjigj Aliu.
Lidhur me akuzat nga të afërmit e viktimave në zjarrin në Koçan, për trajtim joadekuat në spitalin e Koçanit dhe mungesë të pajisjeve të përshtatshme, menjëherë pas tragjedisë, ministri tha se hetimi nga shërbimet kompetente duhet të japë përgjigje për shumë pyetje në lidhje me tragjedinë. Ai tha se spitali i Koçanit është ndër prioritetet kryesore dhe se po bëjnë çmos brenda mundësive për ta pajisur atë siç duhet. Ai shtoi se grupi i punës ka punuar vazhdimisht për këtë çështje.
Lidhur me onkologjinë, ai tha se tani ka terapi, ndërsa paralajmëroi se të hënën do të ketë takim me drejtorin për të parë se si mund të përmirësohet situata atje sa më shpejt të jetë e mundur.
Aliu: Tre pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan ende janë jashtë vendit appeared first on Telegrafi.