
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, zhvilloi një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Evis Sala, ku u rikonfirmua bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh mes dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij në fushën e shëndetësisë.
“Me Republikën e Shqipërisë kemi vendosur një bashkëpunim të suksesshëm dhe, së bashku me ministren Sala, angazhohemi për thellimin e bashkëpunimit në disa segmente të sistemit shëndetësor. Personalisht mendoj se shkëmbimi i njohurive dhe përvojave ndërmjet personelit mjekësor të të dy vendeve kontribuon në përmirësimin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor”.
“Njëkohësisht, e informova ministren për angazhimin tonë për forcimin e burimeve njerëzore dhe planifikimin proaktiv të kapaciteteve kadrovike, me theks të veçantë në përmirësimin e sistemit të specializimeve dhe subspecializimeve, në përputhje me nevojat e qytetarëve”, theksoi ministri Aliu.
Në takimin e punës mes ministrave Aliu dhe Sala u diskutua gjithashtu edhe për digjitalizimin, si një nga shtytësit kryesorë të zhvillimit të sistemeve shëndetësore në rajon.





