
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Klinikën Universitare për Sëmundjet e Syrit me rastin e realizimit të suksesshëm të transplanteve të kornesë, në bashkëpunim me një ekip ekspertësh nga Amerika, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në kuadër të vizitës së ekspertëve nga SHBA, janë realizuar me sukses gjithsej 16 transplante të kornesë. Kjo vizitë përfaqëson një thellim të rëndësishëm të bashkëpunimit që kemi vendosur me ta gjatë vizitës së parë, kur u hodhën themelet e këtij partneriteti.
Me këtë fazë të dytë, jo vetëm që vazhdojmë me rritjen e numrit të ndërhyrjeve, por gjithashtu forcojmë më tej kapacitetet e ekipeve vendase përmes transferimit të njohurive dhe aplikimit të teknikave më moderne, minimalisht invazive. Veçanërisht e rëndësishme është se te 6 pacientë janë aplikuar teknika bashkëkohore minimalisht invazive, ku transplantohet vetëm një pjesë e kornesë me precizion mikronik dhe pa përdorimin e qepjeve. Këto procedura realizohen për herë të parë në oftalmologjinë e vendit tonë”, theksoi ministri Aliu.
Ai theksoi se pacientët në vendin tonë marrin shërbim shëndetësor të nivelit më të lartë sipas standardeve botërore, gjë që dëshmon se investimi në njohuri dhe bashkëpunim ndërkombëtar sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Me këtë rast dua t’u bëj apel të gjithë qytetarëve: dhurimi i organeve është një akt human që shpëton jetë. Pa donatorë nuk ka transplante. Pikërisht për këtë, po punojmë edhe në ndryshime ligjore që do të mundësojnë që çdo qytetar, sa është gjallë, të deklarohet nëse dëshiron të jetë donator. Qëllimi ynë është që ky vullnet të jetë parësor dhe të respektohet plotësisht, ndërsa sistemi të jetë transparent dhe i besueshëm”, shtoi Aliu./Telegrafi/





