
Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler foli ashpër për gjendjen në sistemin gjyqësor, si dhe për qasjen e kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj Prokurorisë.
Aggeler në intervistën e saj në emisionin “Click Plus” në “TV21”, rikujtoi se SHBA deri tani kanë investuar “gjysmë miliardi euro” në gjyqësor, por rezultatet ende nuk janë në nivelin e pritur.
“Nuk më pëlqen aspak situata në gjyqësor. Dua të shoh më pak deklarata nga kryeministri dhe më shumë veprim konkret në kuadër të sistemit gjyqësor”, theksoi Aggeler, duke shtuar se fokusimi tek deklaratat publike nuk i zgjidh problemet sistemike.
Ajo sqaroi se, edhe pse kryeministri nuk duhet drejtpërdrejt të zgjedhë prokurorë, ai ka përgjegjësi politike për të siguruar funksionimin e sistemit.
“Politikanët flasin për shumë gjëra, kjo është pjesë e rolit të tyre. Por në fund, kur shihen rezultatet, konfirmohet se ka ngecje”, shtoi Aggeler.
Ambasadorja u shpreh se e ka inkurajuar arrestimi i fundit i lidhur me keqpërdorimet e fondeve IPARD, por theksoi se përgjegjësia nuk mund të reduktohet vetëm te një person.
“Kemi investuar shumë vite dhe shumë para. Tani njerëzit e këtij vendi dhe kjo qeveri duhet të tregojnë rezultate”, tha ajo, duke shtuar se institucionet duhet të jenë motori i reformave, e jo përplasjet politike.




