
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi të shtunën se ka nisur riorganizimin e ndërmarrjeve publike në sektorin e energjisë, përfshirë kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom, e cila ndodhet në qendër të një skandali të madh korrupsioni.
“Po fillojmë rikonceptimin e ndërmarrjeve kryesore shtetërore të energjisë”, deklaroi Zelensky në një mesazh në rrjetet sociale. Sipas njoftimit, brenda një jave do të krijohet një bord i ri mbikëqyrës për Energoatom-in.
Ditën e hënë, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) bëri të ditur se ka zbuluar një “sistem kriminal” që ka përvetësuar 100 milionë dollarë të destinuara për sektorin energjetik, çka çoi në dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë dhe Energjisë.
Përveç Energoatom-it, riorganizimi do të përfshijë edhe kompani të tjera shtetërore të energjisë, si ndërmarrjen e energjisë hidroelektrike dhe kompanitë kombëtare të nxjerrjes dhe transportit të gazit.
Zelensky theksoi se të gjitha këto ndërmarrje do t’i nënshtrohen një “kontrolli të plotë financiar”, si dhe një rinovimi të lidershipit dhe përfaqësuesve të shtetit në këshillat drejtues.
“Çdo mashtrim i zbuluar në këto ndërmarrje duhet të marrë një reagim të shpejtë dhe të drejtë”, shtoi ai.
Presidenti u kërkoi zyrtarëve qeveritarë të mbajnë komunikim të vazhdueshëm dhe konstruktiv me organet ligjzbatuese dhe institucionet antikorrupsion. Skandali i fundit ka tronditur presidencën, pasi organizatori i dyshuar i skemës, Timur Mindyç, konsiderohej mik i ngushtë i Zelenskyt./vizionplus.tv









