Më pak se një muaj pas arrestimit të tij për vrasjen e Fabrizio Piscitelli, i njohur si Diabolik,  Raul Esteban Calderon u sulmua në burg nga tre të burgosur.

Sipas medieve italiane, një nga autorët ishte i burgosuri shqiptar Dorian Petoku, një person i afërt me Diabolik, i burgosur gjithashtu në janar të 2022 në Rebibbia.

Sulmi u rindërtua nga një kryeinspektor i policisë gjatë seancës gjyqësore për vrasjen e Piscitellit, më 7 gusht 2019 me një plumb në kokë.

Argjentinasi Raul Esteban Calderon akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Çfarë ndodhi në burg

Fillimisht u bë kallëzimi dhe më pas këqyrja e pamjeve të sigurisë brenda burgut lidhur me sherrin që ndodhi në 9 janar 2022.

“Një oficer më ka raportuar se më 9 janar 2022 kishte ndodhur një ngjarje që kishte prishur rendin gjatë kohës së stërvitjes në fushën e sportit. Të nesërmen janë parë pamjet nga sistemi i videove”, tha kryeinspektori i policisë.

Inspektori thotë se në mëngjes Calderon ishte duke ndjekur një ndeshje futbolli. Kur papritur një nga të burgosurit u shkëput nga grupi dhe filloi të godiste argjentinasin me grushta. Calderon u përpoq të mbrohej, por dy persona të tjerë iu bashkuan të parit.

Por Calderon nuk tha asgjë kur u thirr për t’u pyetur, edhe pse e kishte kokën me fasho dhe të nxira dhe plagë në fytyrë. Madje nuk pranoi të shkonte as tek mjeku.

Pas episodit, ai u transferua në një burg tjetër. Sulmuesit u identifikuan përmes krahasimit mes videove të burgut dhe pamjeve të tjera, sqaron polici; ata ishin Dorian Petoku, tashmë i arratisur dhe dy persona të tjerë./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version