
Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar raportimet se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar bombardues strategjikë B-1 pranë kufijve të Venezuelës, me qëllim rritjen e presionit ushtarak ndaj regjimit të Karakasit.
“Jo, është e rreme,” tha Trump përpara gazetarëve, kur u pyet nëse SHBA kishte vendosur avionë bombardues në rajon.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se Uashingtoni është “shumë i pakënaqur me Venezuelën”, duke lënë të hapur mundësinë për veprime të tjera diplomatike ose ekonomike.
Më herët gjatë ditës, gazeta “Wall Street Journal” kishte raportuar se Forcat Ajrore të SHBA-së kishin dërguar avionë B-1 Lancer pranë Venezuelës, duke e interpretuar këtë si shenjë të shtimit të tensioneve midis dy vendeve.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit mbeten të ftohta, për shkak të akuzave të vazhdueshme të SHBA ndaj qeverisë së Nicolas Maduros për shkelje të të drejtave të njeriut dhe manipulim zgjedhjesh.









