
Spanja do të akordojë 20 milionë euro si dëmshpërblim për familjet e viktimave të aksidentit të rëndë hekurudhor të ndodhur javën e kaluar. Pas përplasjes së dy trenave 45 persona humbën jetën dhe më shumë se 150 u plagosën.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Transportit, Óscar Puente.
Sipas autoriteteve, familjet e viktimave do të përfitojnë nga 216 mijë euro secila, brenda një afati maksimal prej tre muajsh.
“E dimë që procedurat normale dhe afatet ligjore nuk i përgjigjen gjithmonë urgjencës jetike të një tragjedie të tillë,” u shpreh ministri Puente.
Dëmshpërblimet për të plagosurit do të variojnë nga 2.400 deri në 84.000 euro, në varësi të dëmtimeve. Ndërkohë, ministri i Transportit ndodhet nën presion të fortë publik, pas këtij aksidenti dhe disa incidenteve të tjera të ndodhura po atë javë, përfshirë vdekjen e një makinisti në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa viktima.
Partia kryesore opozitare, Partia Popullore, ka kërkuar dorëheqjen e Puentes. I pyetur për të ardhmen e tij politike, ministri deklaroi se ka ndërgjegje të qetë, po bën detyrën e tij sa më mirë dhe po përpiqet të informojë qytetarët me transparencë të plotë.









