
Në një konferencë për media sot, përfaqësuesi i Aleancës Kombëtare për Integrim, Arbër Ademi, riafirmoi qëndrimet themelore të partisë si forcë shtetformuese dhe proevropiane, duke i bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve për vëmendje ndaj sundimit të ligjit, barazisë dhe decentralizimit real.
Ademi theksoi se AKI nuk është formacion i rastësishëm fushate, por një projekt afatgjatë me vizion për rikthimin e politikës në shërbim të shtetit dhe qytetarit. “Ne nuk jemi krijuar për fushata, por për vizion”, deklaroi ai, duke renditur prioritetet që sipas tij duhet të udhëheqin politikën shtetërore: mbrojtjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, orientimin euroatlantik, respektin e të drejtave kushtetuese për shqiptarët dhe rindërtimin e besimit publik përmes vettingut dhe drejtësisë së paanshme.
Në fokus të deklaratës ishte mbrojtja e marrëveshjeve kyçe: Marrëveshja e Ohrit, ajo e Prespës dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Ademi i paraqiti këto si kolona të stabilitetit dhe si elementë që nuk mund të jenë subjekt i lojërave politike afatshkurtra. “Këto marrëveshje nuk janë letër që mund të griset nga interesat e ditës, por janë garanci për paqen, për shtetin unitar dhe bashkëjetesën tonë”, tha ai, dhe paralajmëroi se çdo tentativë për t’i minuar do të rrezikonte të ardhmen e vendit.
AKI përsëriti axhendën e saj: “zero konflikte me fqinjët, zero tensione etnike” dhe një orientim i pandryshueshëm drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. Ademi theksoi se barazia e shqiptarëve nuk është privilegj por e drejtë kushtetuese dhe kombëtare, dhe se çdo nënçmim apo margjinalizim është sulm ndaj shtetit vetë. “Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë”, u shpreh ai.
Si mjet për rikthimin e besimit në drejtësi, Aleanca kërkon vetting të plotë dhe hetim të paanshëm për prejardhjen e pasurive të çdo funksionari publik – pa përjashtim politik. Ademi la të kuptohet se veç këtij vetingu, AKI kërkon edhe hetim të partive politike dhe procesit të privatizimeve në tri dekadat e fundit, të cilat, sipas tij, kanë shkatërruar ndërmarrje strategjike dhe kanë dëmtuar interesin publik.
“Ky është vettingu që ndan të ndershmit nga të korruptuarit, shtetin nga bandat dhe politikën nga krimi”, tha ai. Një tjetër shtyllë e prezantuar nga Ademi ishte decentralizimi i vërtetë: komunat duhet të jenë motorë të zhvillimit lokal dhe jo varësi të drejtpërdrejta të qeverisë qendrore. AKI kërkon transferim real të kompetencave dhe fondeve sipas standardeve evropiane, për të siguruar zhvillim të balancuar rajonal dhe përfaqësim të drejtë.