
Me “Stafetën Erasmus – kuti në lëvizje“, Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet filloi agjendën për shënimin e Ditëve – Erasmus 2025. Nxënësit dhe mësim-dhënësit nga Shkolla Fillore “Aco Shopov“ në Butel, të cilët tashmë i kanë përjetuar përfitimet nga pjesëmarrja në këtë program arsimor evropian përmes projektit për mobilitet, janë të parët që në mënyrë simbolike do t’i vendosin mesazhet dhe rekomandimet e tyre në kuti, për të stim-uluar përdoruesit e rinj të programit. Pasi kutia të ketë kaluar nëpër shkollat në mbarë vendin, të gjitha letrat do të bëhen publike.
Në fillimin e aktivitetit e pranishme ishte ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila shprehu kënaqësinë që, pas disa viteve ku ishte vënë në pikëpyetje kredibiliteti i Agjencisë Kombëtare, për shkak të parregullsive të konstatuara në punën e saj, fillon periudha e funksionimit normal të këtij institucioni.
“Besimi është kthyer, janë miratuar fondet e BE-së për financimin e projekteve në kuadër të programit Erasmus për vitin 2025, për të cilat interesi është rritur ndjeshëm. Kjo shihet nga fakti se këtë vit numri i aplikimeve për projekte të mobilitetit të nxënësve dhe mësimdhënësve në kuadër të Erasmus është rritur mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar. Nëse në vitin 2024 ishin parashtruar rreth 150 aplikime, këtë vit janë parashtruar mbi 300“, theksoi Janevska.
Ministrja gjithashtu informoi se do të nënshkruhen kontrata për 161 projekte me vlerë rreth 7 milionë euro, kryesisht në fushat e gjithpërfshirjes, metodave të reja të të mësuarit dhe mësimdhënies, transformimit digjital dhe demokracisë, ndërsa do të përfshihen 270 institucione dhe organizata nga Maqedonia.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare, Ana Mihajllov, u shpreh se është e kënaqur me punën përgjatë dy muajve të kaluar, dhe më e rëndësishmja është se proceset që ishin vënë në pikëpyetje tani më janë zhbllokuar.
“ Tanimë i kemi marrë mjetet nga BE-ja dhe do të theksoj se këtë vit, partnerë të institucioneve, organizatave dhe shkollave tona në realizimin e projekteve janë institucionet dhe organizatat të ngjashme nga vendet si Italia, Spanja dhe të tjera nga BE-ja, për dallim nga më parë kur rrjetëzimi bëhej kryesisht me vendet nga Ballkani Perëndimor. Gjithashtu, bashkëpunimi rajonal vazhdon të trajtohet, por është mirë që po zgjerohemi edhe pak më shumë në Evropë,” tha Mihajllov.
Poashtu theksoi se këtë vit do të ketë 600 mobilitete më shumë në krahasim me vitin e kaluar, që do të thotë rritje e numrit të pjesëmarrësve dhe shfrytëzuesve të përfitimeve të Erasmus.