
Kosova, AI dhe e ardhmja digjitale- cila është rruga sipas Uranik Begut?
Drejtori i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore, Uranik Begu, ka theksuar se Kosova ka potencial të madh për zhvillim në inovacion, teknologji dhe inteligjencë artificiale, duke nënvizuar nevojën për hapa strategjik dhe mbështetje institucionale.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, i cili podcast mbështetet nga kompania e derivateve EXFIS, Begu tha se mungesa e politikave të qëndrueshme shtetërore dhe zbehja e mbështetjes nga donatorët kanë krijuar një vakuum institucional që ndikon në ekosistemin e startapeve dhe inovacionit.
“Në vitet e fundit, Kosova ka nevojë për më shumë mbështetje institucionale. Nuk kemi më një ministri të dedikuar për inovacionin, buxhetet për këtë sektor mungojnë, ndërsa përkrahja e donatorëve është zbehur dukshëm. Ky sektor nuk mund të zhvillohet vetëm me vullnetin e të rinjve,” tha Begu në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
– YouTube www.youtube.com
Ai theksoi se, ndërsa Shqipëria po avancon me projekte si Piramida e Tiranës, Plug and Play, shkolla “42” dhe krijimin e një Ministrie të Inteligjencës Artificiale, Kosova ende nuk ka një strategji të qartë digjitale.
“Shqipëria po krijon një ekosistem të qëndrueshëm për startapet dhe ka investuar edhe në kompani globale si ajo e Mira Muratit. Ne duhet të zhvillojmë instrumente shtetërore që mbështesin inovacionin dhe partneritetet publiko-private,” shtoi ai.
Sipas Begut, për të zhvilluar një ekonomi digjitale konkurruese, Kosova duhet të fokusohet në tri shtylla kryesore: infrastrukturë teknologjike, aftësim dhe riaftësim profesional, si dhe përkrahje konkrete për bizneset dhe startapet.
“Nëse investojmë në këto fusha, mund të rrisim konkurrueshmërinë dhe të sigurojmë që kompanitë ekzistuese të qëndrojnë përpara trendit teknologjik,” paralajmëroi Begu.
Uranik Begu në “Përballje Podcast”Foto: Ridvan Slivova
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit institucional.
“Asnjë nga ministrat përgjegjës nuk ka vizituar qendrat e inovacionit për të kuptuar nevojat reale të komunitetit. Ne kemi modele funksionale si ICK-ja, që kanë trajnuar mijëra të rinj dhe kanë nxjerrë qindra startape, dhe me mbështetje institucionale, këto mund të rriten edhe më shumë. Qeveria duhet ta shohë sektorin e inovacionit si partner, jo si konkurrent.”
Në fund, Begu bëri thirrje për veprim të shpejtë dhe strategjik: “Kosova ka potencialin të kapë trenin e inovacionit dhe të ndërtojë një ekosistem digjital të qëndrueshëm. Nëse veprojmë tani, mund të bëhemi krijues të teknologjive të reja, dhe jo vetëm konsumatorë të tyre.” /Telegrafi/