
Me fillimin e stinës së vjeshtës, mjekët vërejnë një rritje të dukshme të rasteve me infeksione respiratore, si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit.
Sanja Cilevska Mlladenovska, pediatre specialiste thotë se ndryshimet e shpeshta të temperaturave kanë bërë që këto infeksione të shtohen ndjeshëm, ndërsa herë pas herë në klinika paraqiten edhe raste më të rënda, ku fëmijët vuajnë nga bronkiti dhe kanë nevojë për trajtim më të kujdesshëm mjekësor.
Kontrollet ambulantore arrijnë deri në 40 pacientë në ditë.
“Në dy javët e fundit vërejmë rritje të numrit të fëmijëve, me rritje të temperaturës, me rrjedhje të hundës, me kollitje, pra para së gjithash janë me infeksione të sipërme të frymëmarrjes, ndërsa kanë filluar, edhe pse më pak por ka edhe me bronkite, pra ndonjëherë vërehet edhe infeksione të poshtme të frymëmarrjes. Lagështia e ajrit, temperaturat e ulëta të mëngjesit kanë bërë që infeksionet të jenë në rritje”, tha Sanja Cilevska Mlladenovska, mjeke.
Edhe në Klinikën Infektive është vërejtur rritje e numrit të pacientëve me infeksione respiratore, ku kontrollet ditore arrijnë deri në 100 pacientë. Ndërsa aktualisht në këtë klinikë janë të shtruar rreth 70 pacientë, megjithatë jo të gjithë vuajnë nga infeksionet respiratore.
“Ka tendencë rritje të kontrolleve të cilët tangojnë kryesisht sistemin repsirator. Ende është herët për të thënë që ka ndonjë shifër alarmante, por ka tendencë normale të rritjes së rasteve të cilët janë të prekur nga sistemi respirator. Si zakonisht tendencë mes 50 dhe 100 kontrolleve ambulantore të cilët kryesisht janë raste të lehta”, u shpreh Fadil Cana, drejtor në Klinikën Infektive.
Sipas mjekëve, ajri i ndotur ka ndikim të madh në përhapjen e infeksioneve të organeve të frymëmarrjes, prandaj apelojnë që qytetarët të shmangin daljen gjatë orëve kur ndotja arrin kulmin.