
Nga koalicioni VLEN sot kanë bërë të ditur se aksionet të cilat sipas tyre, familjari i Ali Ahmetit ia ka shitur Alta Bankës nga Serbia, një vit më parë i ka blerë nga ish drejtori i ASK-së, Sasho Mijallkov.
Zeqirija Ibrahimi, deklaroi se kjo shitje ka ndodhur më 17.09.2025.
“Blerja e aksioneve të AS “Senjak” nga Sasho Mijallkovi ose nga kompania e lidhur me të, “Best Vej Investment”, është bërë më 24.10.2024. Ja dëshmia e këtij transaksioni. Pra, kemi një linjë të qartë: Sasho Mijallkovi, ish shefi i DSK-së, njeriu i të gjitha skemave kriminale të regjimit në Maqedoni të Veriut, i shet aksione familjes së Ali Ahmetit, ndërsa familja e tij ndërmjetëson midis Sasho Mijallkovit dhe bankës serbe. Në fund është “Alta Banka”, një bankë e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, si blerës i fundit. Ka qenë indikative ajo fotografia në manastirin e Shën Naumit, por tashmë gjithçka është e qartë. Tash kemi edhe dëshmi financiare të kësaj lidhjeje. Maskat kanë rënë. BDI-ja fshihet dhe turpërohet, sepse e di se pas retorikës patriotike fshihet një e vërtetë e ashpër – para, kriminalitet, interes personal dhe lidhje me strukturat antishqiptare në rajon.Sot është e qartë. Familja e Ali Ahmetit, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërsa BDI tërthorazi është bërë partner i drejtpërdrejtë financiar i Mijallkovit dhe Vuçiqit. Me këtë lidhje, BDI-ja po e sjell botën serbe në Maqedoni të Veriut edhe përmes sistemit bankar. Me këtë lidhje, Ali Ahmeti dhe familja e tij po e vënë shtetin dhe shqiptarët në varësi financiare dhe politike nga Beogradi, ndërsa pse e bëjnë këtë, ata duhet ta shpjegojnë. Sidoqoftë, shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta dinë të vërtetën”, tha Ibrahimi.
Ai shtoi e BDI nuk është më parti që i mbron interesat e shqiptarëve, por është kompani private e Ali Ahmetit për krim dhe pasurim personal.