
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski tha se në zgjedhjet lokale do ta mposhtin Bashkimin Demokratik për Integrim dhe se si qeveri nuk shohin kombinim koalicionues me partinë e Ali Ahmetit.
Ai tha se OBRM-PDUKM do të fitojë bindshëm.
“Flitet për zgjedhje të parakohshme. Anketat tregojnë se nëse do të mbaheshin, OBRM-PDUKM-ja me siguri do të kishte mbi 62-63 deputetë, një shumicë të qëndrueshme me agjendë të fortë reformash. Por të mos gënjejmë veten, zgjedhjet e parakohshme nënkuptojnë edhe humbje kohe të çmuar. BDI po e shfrytëzon temën për të mbledhur vota klienteliste, duke i gënjyer votuesit e saj se do të formonin një koalicion me OBRM-PDUKM-në. Unë u them atyre, si kryetar i Qeverisë, dhe mbi të gjitha si person, parimet janë të rëndësishme, jo kombinimet. Jo intriga, jo politikë. Ndaloni së gënjyeri elektoratin tuaj. Kjo është e pandershme dhe e pasaktë ndaj njerëzve që i keni manipuluar me vite. Si koalicion qeverisës, ne do t’ju mposhtim bindshëm”, tha Mickoski.
Mickoski vlerësoi se BDI-ja dukshëm nuk dëshiron reforma.
“Është e qartë se nuk doni reforma. Ju qëndroni në të njëjtën matricë me LSDM-në dhe kjo është një tragjedi për shtetin. Po bëni sikur jeni një parti që lufton për shqiptarët, ndërsa në dy dekada pushtet nuk keni ofruar asnjë projekt serioz për bashkësinë shqiptare. Të dhënat zyrtare tregojnë se sa qindra shqiptarë emigruan pikërisht gjatë periudhës suaj. U thoni nënave që i dërguan fëmijët e tyre jashtë vendit se çfarë fituan nga qeverisja juaj”, theksoi Mickoski.
Mickoski tha se BDI dhe LSDM e shkatërruan Maqedoninë me korrupsion dhe afera të tjera kundër shtetit.