FC Metalist 1925 ka prezantuar përforcimin e ri në repartin ofensiv, duke nënshkruar me sulmuesin e ekipit Kombëtar të Kosovës, Baton Zabërgja.
Marrëveshja është arritur në formulën 3+1 vjet, ndërsa futbollisti do të mbajë fanellën me numrin 72 te klubi ukrainas.
24-vjeçari i lindur në Vushtrri ka nisur karrierën te klubi i qytetit të tij, për të vazhduar më pas me Drenicën dhe Gjilanin. Në vitin 2023, Zabërgja kaloi në Superligën e Shqipërisë, ku iu bashkua Dinamo City.
Gjatë periudhës me klubin shqiptar, ai u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke zhvilluar 83 ndeshje, shënuar 23 gola dhe dhënë 18 asiste. Me Dinamon, Zabërgja fitoi Kupën e Shqipërisë 2024/25 dhe njëherësh siguroi vendin e tretë në kampionat.
Në nivel kombëtar, Zabërgja debutoi këtë verë me Kosovën, ku ishte titullar në një miqësore ndaj Armenisë. Aktivizimi i tij me fanellën dardan e rrit vlerën dhe përvojën që pritet ta sjellë në Ukrainë.
Zyrtare: Baton Zabërgja prezantohet te Metalist 1925 në Ukrainë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.