Real Madrid nuk pushon në objektivin e tij për të përforcuar mesfushën, dhe një dëshirë e vjetër kthehet sërish në qendër të vëmendjes: Rodrigo Hernández.

Mesfushori i Manchester Cityt është rikthyer në radarët e bardhëve si opsioni kryesor për të zëvendësuar boshllëkun e lënë nga Toni Kroos pas tërheqjes së tij.

Ideja në “Bernabéu” është e qartë: nëse ekziston qoftë edhe një mundësi e vogël për ta larguar atë nga Anglia, do të merret seriozisht në konsideratë, edhe nëse kostoja i kalon 100 milionë eurot.

Rodri, i cili këtë sezon do të mbushë 30 vjeç, është nën kontratë deri në vitin 2027 dhe është një nga shtyllat e skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola.

Megjithatë, fakti që ende nuk e ka zgjatur kontratën me klubin anglez deri në vitin 2030 (siç është dëshira e klubit), ka ngjallur njëfarë optimizmi në kryeqytetin spanjoll. Në Valdebebas janë të vëmendshëm ndaj çdo sinjali që mund të interpretohet si një derë pak e hapur.

Gazetari Antón Meana, i specializuar në ambientin e Real Madridit, shpjegoi në “El Larguero” se për momentin, Real Madridi nuk ka ndërmend të firmosë me një mesfushor mbrojtës, përveç nëse paraqitet mundësia për të marrë Rodrigon.

Ata besojnë se nuk ka lojtar tjetër që i përshtatet aq mirë profilit që kërkojnë, dhe për këtë arsye nuk do të bëjnë lëvizje të nxituara.

Operacioni nuk duket i thjeshtë, por nëse City tregohet i gatshëm për të negociuar ose nëse vetë lojtari e konsideron një ndryshim ambienti, Real Madridi do të ishte i gatshëm të vendosë në tryezë një shumë afër 100 milionë eurove. Për momentin, strategjia është të pritet dhe të vëzhgohet situata, por nëse skenari ndryshon, klubi madrilen nuk do të hezitojë të veprojë me vendosmëri./Express

‘Zbulohet’ transferimi 100-milionësh i Real Madridit / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version