Granit Xhaka ndihet mjaft i lumtur që u rikthye në Premierligë.
Këtë shans futbollistit kosovar ia dha Sunderlandi, i cili e transferoi nga Bayer Leverkuseni.
Përvoja e madhe dhe shpirti luftarak e lidershipi, krahas kualitetit që e posedon, bënë që klubi i rikthyer në Premierligë t’ia besojë yllit kosovar udhëheqjen në fushë të ekipit.
Sot, klubi kuq e bardhë e zyrtarizoi përfaqësuesin zviceran si kapiten të ri të ekipit.
E ndërkohë, ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut, Arsenalit e Bayer Leverkusenit e shprehu gëzimin e tij që u rikthye në atë që konsiderohet si liga më e fortë në Evropë.
Ai gjithashtu e përshkroi veten dhe i tregoi synimet me ekipin.
“Jam mjaft i lumtur që u ktheva në Premierligë pas dy vjetësh. Të jem i sinqertë, më kanë munguar ndeshjet, më ka munguar atmosfera e këtushme, më ka munguar ajo ndjenja se si është të jesh pjesë e Premierligës.”
“Jashtë fushës jam një djalë që ka qejf të bëjë hajgare, të zbavitet me shokët. E në fushë unë kërkoj shumë. Unë dua të fitoj. Unë jam fitues dhe këtë ia kërkoj edhe ekipit. Nga e shtuna na pret fillimi i sezonit, duhet të mendojmë lojë pas loje dhe t’i fitojmë ato.”
“Më bën jashtëzakonisht krenar fakti që jam kapiten i këtij klubi dhe i kësaj skuadre. Shpresoj ta tregoj lidershipin tim brenda dhe jashtë fushës duke i ndihmuar shokët e mi të skuadrës në qendrën stërvitore dhe në përgjithësi”, tha Xhaka. /express
“Unë jam lider dhe fitues”, Granit Xhaka flet për rikthimin në Premierligë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.