Skuadrat kosovare të hendbollit, në të dyja konkurrencat, i kanë mësuar emrat e ekipeve kundërshtare në garat evropiane për sezonin 2025/26, në shortin e hedhur sot.
Rahoveci me kundërshtar nga Luksemburgu apo Maqedonia e Veriut
Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, do të fillojë garimin në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Por për ta mësuar kundërshtarin, Rahoveci duhet ta presë përfundimin e ndeshjeve të raundit të parë.
“Vreshtarët” do të përballen me fituesin e ndeshjeve mes Dudelange të Luksemburgut dhe Butelit të Maqedonisë së Veriut.
Ndeshjet e raundit të dytë të EHF European Cup do të zhvillohen më 11/12 dhe 18/19 tetor.
Besa Famgas me kundërshtar nga Turqia
Besa Famgas ka mësuar të martën kundërshtarin e raundit të parë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Skuadra pejane do të përballet me skuadrën turke, Depsas Enerji, dhe do ta synojë avancimin në raundin e dytë të EHF European Cup.
Ndeshjet e raundit të parë të Kupës Evropiane janë më 6/7 dhe 13/14 shtator.
Besa tashmë ka përvojë shumë të gjatë në skenën evropiane.
Kastrioti luan në Luksemburg
Fituesi i Kupës së Kosovës, Kastrioti, do të udhëtojë në Luksemburg për ndeshjen e raundit të dytë të Kupës Evropiane.
Shorti i së martës përcaktoi që Kastrioti të luajë me skuadrën nga Luksemburgu, Red Boys Differdange. Ndeshja e parë luhet në Luksemburg, ndërsa e kthimit në Ferizaj.
Ndeshjet e raundit të dytë të EHF European Cup për hendbollistë zhvillohen në tetor. Ndeshjet e para janë më 11 e 12 tetor, ndërsa të kthimit më 18 e 19 tetor.
Ferizaj luan me Salernon e Italisë
Klubi i hendbollit Ferizaj do të përballet me Jumi Salernon e Italisë në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste (EHF European Cup).
Shorti është tërhequr të martën në Vjenë.
Ferizaj do të jetë vendas në ndeshjen e parë.
Ndeshjet e raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste zhvillohen në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit.
Jomi Salerno ishte prej skuadrave më të ranguara në vazon e parë.
Ferizaj do ta kërkojë suksesin e parë evropian.
Istogu me kundërshtar nga Greqia
Kampioni i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave, Istogu, do të përballet me skuadër greke në raundin e dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Në shortin e tërhequr të martën, është caktuar që Istogu të luajë me skuadrën AEP Panorama.
Istogu ishte bartës në short, ndërsa Panorama ishte e fundit e ranguar në mesin e skuadrave jobartëse. Rrjedhimisht Istogu vlerësohet favorit.
Ndeshjet zhvillohen më 27/28 shtator dhe 4/5 tetor.
Shqiponja përballë ekipit të madh zviceran
Shqiponja e Gjakovës do të ketë kundërshtar të vështirë në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste (EHF European Cup).
Shorti i së martës ka caktuar që Shqiponja të përballet me skuadrën zvicerane Winterthur. Ndeshjet zhvillohen në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit.
Shqiponja kthehet në gara evropiane me synim për sukses. Por shorti nuk e ka favorizuar shumë. Winterthuri vlerësohet prej skuadrave më të forta në Zvicër.
Samadrexha luan me PAOK-un
Samadrexha do të përballet me skuadrën e njohur greke, PAOK, në Kupën Evropiane për hendbolliste. Shorti për raundin e dytë të EHF European Cup u tërhoq të martën dhe Samadrexha nuk kishte fat.
PAOK-u ishte prej ekipeve më të forta të vazos së parë. Por skuadra e Samadrexhës, si gjithë skuadrat tjera tona, do të bëjë përpjekje maksimale për të avancuar në raundin e dytë.
Ndeshjet luhen në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit./Express
Skuadrat kosovare i mësojnë kundërshtarët e garave evropiane / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.