Objektivat janë vërtet të larta.
Rubin Kazan e ka provuar edhe më parë ta fitojë titullin në Rusi, me kulmet në vitet 2008 e 2009, ndërsa dëshira absolute e klubit është që kjo lavdi të përsëritet.
Rubin jo më kot bëri një sakrificë të vërtetë për ta mbajtur Mirlind Dakun, dhe sipas mediave në Rusi, po mendohet edhe përfshirja në garën për Premier Ligën.
Sipas të përditshmeve pranë klubit nga Tatarstani, në kontratën e rinovuar të sulmuesit kuqezi ekziston një klauzolë sipas së cilës ai do t’i fitojë plot 500.000 euro nëse e ndihmon ekipin të shpallet kampion.
Jo vetëm kaq, por për objektivin personal, që është fitorja e Këpucës së Artë, futbollistit nga Kosova do t’i jepen edhe 200.000 euro të tjera.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare e vazhdoi kontratën që i vlente deri në 2026, pasi i dështoi kalimi tek Zeniti në Shën Peterburg.
Marrëveshja e re vlen deri në vitin 2029 dhe raportimet janë të ndryshme lidhur me pagën e yllit nga Kosova.
Flitet për shifra nga 2 deri në 2.5 milionë euro në sezon, si dhe për një shumë prej 1.5 milionë eurosh që Daku e ka marrë në momentin e hedhjes së firmës në marrëveshje, përcjell abcnews.
Lojtari i Shqipërisë i ka shënuar 25 gola dhe i ka shërbyer 12 asistime në 54 ndeshje të Premier Ligës ruse deri tani.
Sa para do t’i fitojë nëse shpallet kampion dhe nëse e fiton Këpucën e Artë? Detaje nga kontrata e Dakut / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.