Ata u njohën në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, në bibliotekën e shkollës së mesme në Gondomar dhe e ndërtuan jetën me hapa të qetë, të kujdesshëm, larg bujës e luksit. Por jeta e Diogo Jotës dhe Rute Cardosos, e ndërtuar me shumë dashuri dhe sakrificë për 13 vite rresht, përfundoi tragjikisht në orët e para të së enjtes, kur Jota dhe vëllai i tij, André Silva, humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku me Lamborghini.

Ata ishin shembulli klasik i çiftit që ndan gjithçka bashkë, që nga ditët pa famë, deri te kulmet e suksesit. Pavarësisht se u bënë figurë publike, ata kurrë nuk e humbën përulësinë. Ai qëndroi larg vëmendjes dhe ajo e kishte lënë pezull ëndrrën e studimeve për marketing, për ta mbështetur partnerin në karrierën e tij, shkruan Gazeta Express.

Dasma e tyre, e realizuar vetëm dhjetë ditë më parë në Porto, ishte momenti kulmor i dashurisë së tyre, një ceremoni e mbushur me emocione, të qeshura dhe njerëzit që donin më shumë. Askush nuk mund ta imagjinonte se ato pamje të bukura do të shndërroheshin kaq shpejt në kujtim. Në sfondin e videos së dasmës, një zë e paralajmëronte se ishte “një ditë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tuaj”. Dhe ashtu ndodhi por jo në mënyrën që do të donin.

Historia e tyre nuk ishte vetëm një histori dashurie. Ishte një partneritet i vërtetë. Rute ishte ajo që e inkurajoi Jotën në çdo hap, nga Paços de Ferreira, në aventurën spanjolle me Atlético Madrid, deri te sukseset me Wolves dhe pastaj Liverpoolin. Ajo ishte aty, gjithmonë. Madje edhe në momentet kur ai përjetonte padrejtësi në fushë, ishte zëri i saj që dëgjohej i pari.

Tani, Rute ka mbetur vetëm me tre fëmijët e tyre, Denis, Duarte dhe vajzën e porsalindur, emri i së cilës ende nuk është bërë publik.

Por tani, kujtimet janë gjithçka që i ka mbetur kësaj familjeje të re. Dhe për Ruten, forca që i dha krahë Jotës, sfida e radhës është e paimagjinueshme: ta rrisë familjen e tyre pa dashurinë e jetës së saj pranë.

Humbja e Diogo Jotës nuk është vetëm një tragjedi për botën e futbollit, por edhe një kujtesë e dhimbshme për brishtësinë e jetës. Një jetë që nga jashtë dukej perfekte, por që u ndërpre brutalisht, duke lënë pas një boshllëk të thellë dhe një dashuri që, edhe pse nuk do të shfaqet më në publik, do të jetojë përgjithmonë në kujtimet e atyre që e njohën – dhe më shumë se gjithçka, në zemrën e një gruaje që i qëndroi pranë çdo hap të jetës.

Një dashuri që i mbijetoi gjithçkaje, përveç fatit: Historia e Diogo Jotës dhe Rute Cardosos / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version