Milan nuk dorëzohet për Guéla Doué. Klubi italian po përgatit një ofertë të përmirësuar prej 22 milionë eurosh, përfshirë bonuse të lidhura me paraqitjet, për mbrojtësin e talentuar të Strasbourg, por duket se edhe kjo shifër nuk do të mjaftojë për të bindur klubin francez.

Pasi humbën garën për Marc Pubill, i cili tashmë ka arritur marrëveshje me Atletico Madrid në një transferim që kap vlerën e 16 milionë eurove + 4 milionë bonuse, drejtuesit e Milanit i kanë kthyer sytë plotësisht drejt Doué, duke e vendosur në krye të listës së dëshirave për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Ofertë e re, por jo e mjaftueshme

Sipas burimeve të Calciomercato.com, kuqezinjtë do të dërgojnë shumë shpejt ofertën e re tek Strasbourg, pasi propozimi i parë prej 18 milionë eurosh u refuzua menjëherë nga klubi francez. Oferta e re është rreth 22 milionë euro me bonuse, por kjo mbetet ende larg kërkesës prej 30 milionë eurosh që kanë vendosur drejtuesit e Strasbourg.

Ndërkohë, Milan ka mbyllur një tjetër marrëveshje në mbrojtje – për krahun e majtë. Pervis Estupiñan, mbrojtës i majtë nga Brighton, pritet të mbërrijë nesër në Itali për të kryer vizitat mjekësore, pas një marrëveshjeje që arrin në 17 milionë euro + 2 milionë në formë bonusesh.

Milan, ende pa zgjidhje për krahun e djathtë

Me Estupiñan që mbulon një krah, drejtuesit e Milanit po përballen me vështirësi serioze për të gjetur një mbrojtës të djathtë cilësor, pas dështimit me Pubill. Guéla Doué shihet si profili i duhur për projektin e ri të kuqezinjve, por negociatat me Strasbourg pritet të jenë të vështira dhe të zgjatura.

Drejtuesit e Milanit do të shpresojnë që dëshira e vetë lojtarit për një hap të madh në karrierë të ndikojë në qëndrimin e Strasbourg dhe të afrojë palët drejt një marrëveshjeje. /GazetaExpress/

Milan përgatit ofertë të re prej 22 milionësh për Guéla Doué – Strasbourg vazhdon të kërkojë 30 milionë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version