Skuadra verdheblu dëshiron të “hedhë bomba” njëra pas tjetrës sapo të hapet merkatoja e verës.
Fenerbahçe, që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e Jose Mourinhos, ka shtypur butonin për të përforcuar repartet që kanë nevojë për përmirësim në skuadër.
Klubi nga Kadiköy ka futur në listën e objektivave të tij yllin kosovar, Edon Zhegrovën, i cili luan për Lille në kampionatin francez, raporton “Haber Global”.
Fenerbahçe, që po intensifikon kontaktet për transferimin e sulmuesit anësor të djathtë, ka në shënjestër edhe disa lojtarë të tjerë, por Zhegrova është ndër përparësitë.
Klubi dëshiron të shtojë emra me peshë në skuadër dhe nuk ngurron të bëjë transferime precize që do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e lojës.
Zhegrova ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane me paraqitjet e tij këtë sezon.
Lille kërkon një shumë rreth 25 milionë euro për kartonin e tij. Fenerbahçe shpreson të arrijë një marrëveshje me klubin francez dhe oferta e parë e pritur e klubit turk do të jetë rreth 20 milionë euro.
Thuhet se Edon Zhegrova është i entuziazmuar për kalimin te Fenerbahçe, pasi paga që do të përfitojë te klubi turk është më e lartë se ajo që i ofrojnë skuadra të tjera. Nëse Jose Mourinho e jep miratimin, presidenti Ali Koç pritet ta mbyllë këtë transferim.
Megjithëse Zhegrova ka pasur probleme me dëmtimet këtë sezon, ai u duartrokit për paraqitjet e tij në sezonin e kaluar.
Gjatë sezonit 2023/2024, ai luajti 47 ndeshje për Lille, duke shënuar 12 gola dhe dhënë 10 asistime – duke kontribuar direkt në 22 gola.
Ai shihet si një përforcim i rëndësishëm për krahun e djathtë të sulmit të Fenerbahçes. /Express
Mediat turke: Fenerbahçe e Jose Mourinhos tejet e interesuar për Edon Zhegrovën / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.