
Liverpool ka hyrë fuqishëm në skenën e merkatos pasi ka zbuluar një mundësi të papritur te Real Madridi: situata kontraktuale e Vinícius Júnior.
Edhe pse Real Madridi gjithmonë ka shfaqur qetësi lidhur me rinovimin e brazilianit, marrëveshja e re ende nuk është firmosur, duke ndezur alarmin te disa nga klubet më të mëdha të Europës – veçanërisht te “Anfield”.
Sipas asaj që raporton “DefensaCentral”, klubi anglez është i gatshëm të ofrojë një shumë astronomike rreth 130 milionë euro (100 milionë fikse dhe 30 në variabla) për anësorin brazilian, duke shfrytëzuar faktin që klubi ka në plan të ndahet nga Luis Díaz.
Nëse kolumbiani largohet nga Liverpool për një shumë afër 90 milionë euro, një pjesë e atij fitimi do të përdorej direkt për të tentuar bindjen e Viníciusit për të bërë një ndryshim të madh.
Në Madrid ende mbizotëron besimi për një përfundim të suksesshëm, por ngërçi në negociata po fillon të shkaktojë shqetësim.
Pavarësisht se kontrata e tij zgjat deri në vitin 2027, klubi dëshiron ta sigurojë sa më shpejt një zgjatje dhe përmirësim të kontratës, për të mbrojtur të ardhmen e lojtarit dhe për të shmangur skenarë të vështirë në vazhdim.
Përndryshe, Vini mund të forcojë pozitat e tij në bisedime dhe kjo mund të tendosë raportet mes palëve.
Vetë Vinícius ka përsëritur disa herë se dëshiron të qëndrojë në kryeqytetin spanjoll, por raportimet e fundit sugjerojnë se mosmarrëveshjet ekonomike po e zvarrisin procesin.
Veçanërisht sepse drejtuesit e Real Madridit nuk janë të gatshëm t’i ofrojnë një pagë më të lartë se ajo që mund t’i jepet Kylian Mbappé, në rast se francezi nënshkruan me klubin.
Topi tani është në fushën e Real Madridit. Në ndërkohë, Liverpooli pret me ofertën gati për të goditur fort, nëse situata nuk zgjidhet shpejt./Express
Liverpooli i ofron 130 milionë euro për yllin e Realit / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.