Tottenham Hotspur ka konfirmuar transferimin e sulmuesit ganez, Mohammed Kudus, nga rivali i Ligës Premier, West Ham United.

Kudus i bashkohet Spurs për një shumë të raportuar prej 60 milionë eurosh, duke u bërë përforcimi i pestë i klubit gjatë kësaj vere.

Më herët, Tottenham ka siguruar shërbimet e Mathys Tel, Kevin Danso, Luka Vuskovic dhe Kota Takai – në kuadër të projektit të ri nën drejtimin e trajnerit Thomas Frank.

Ganezi 23-vjeçar iu bashkua West Hamit në vitin 2023 nga Ajax, duke realizuar 13 gola në 65 paraqitje në të gjitha garat për “Çekanët”.

Kudus e nisi karrierën profesionale me klubin danez Nordsjaelland, pasi më parë ishte formuar në akademinë e njohur “Right to Dream” në Ganë.

Tottenhami pritet të zhvillojë ndeshjet parasezonale më vonë gjatë këtij muaji, duke filluar me përballjen ndaj Readingut më 19 korrik.

Kudus prezantohet nga Tottenhami / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version