Juventusi vazhdon të punojë intensivisht në afatin kalimtar pak ditë para fillimit të sezonit të ri të Serie A, ku sipas mediave italiane, drejtuesit bardhezi kanë zhvilluar në orët e fundit një raund të ri bisedimesh me përfaqësuesit e Edon Zhegrovës.

Zhegrova ka shkëlqyer sezonin e kaluar, madje edhe kundër vetë “Zonjës së Vjetër” në Ligën e Kampionëve, duke fituar respekt të madh në Itali.

26-vjeçari pritet të largohet nga Lille këtë verë, pasi ka mbetur me vetëm një vit kontratë dhe ka refuzuar rinovimin, duke kërkuar një sfidë të re në karrierë.

Lille është i vendosur ta shesë lojtarin për të mos përsëritur rastin e Jonathan David, i cili u largua pa asnjë përfitim financiar.

Klubi francez ka vendosur një çmim prej 15 deri në 20 milionë euro për kartonin e Zhegrovës, shifër që shihet si e lartë duke marrë parasysh se kontrata i skadon verën e ardhshme.

Nga Franca, interesimi kryesor vjen nga Olympique Marseille. Klubi francez ka paraqitur një ofertë konkrete ditët e fundit, por nuk ka arritur marrëveshje me Lille, duke lënë derën e hapur për Juventusin.

Për bardhezinjtë, një element vendimtar në këtë operacion mbetet shitja e Nico González, për të cilin Atlético Madrid ka shfaqur interes, megjithatë bisedimet ende nuk kanë përfunduar me marrëveshje, shkruan Fabrizio Romano.

Nëse kushtet ekonomike përshtaten, Juventus duket i gatshëm të hyjë fuqishëm në garë për yllin kosovar, ndërsa gara me Marseille pritet të vendosë të ardhmen e Edon Zhegrovës në ditët e ardhshme. /Telegrafi

 

Juventusi nuk dorëzohet për Edon Zhegrovën, mbahet një raund i ri i bisedimeve / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version