Edon Zhegrova u rikthye në qendër të vëmendjes së fundmi me Olympique Marseillen që thuhet se ka shprehur interesim për të.
Madje, mediat francez kanë shkruar dje se ky klub tashmë i ka nisur bisedimet me Lillen për transferimin e yllit kosovar.
E rreth këtij transferimi eventual ka folur ish-futbollisti francez, Kevin Diaz, sot analist i futbollit.
Në “After Foot” të “RMC Sport”, ai theksoi se i ka dyshimet e tij nëse anësori ofanziv do të mundë të përshtatej tek Marseille.
Diaz i sheh problem kryesor “dobësitë psikologjike” të 26-vjeçarit, ndërsa e vë në pah talentin e tij dhe aftësitë e padiskutueshme si futbollist.
“Kur e sheh dokumentarin e sezonit të Marseillet, kam dyshime serioze nëse Zhegrova është i prerë për të punuar me një trajner dhe një drejtor sportiv kaq kërkues. Ai është një lojtar që ka treguar cilësi, sigurisht, por që i ka shfaqur edhe disa dobësi psikologjike. A do të jetë në gjendje ai ta pranojë një nivel të caktuar të konkurrencës dhe të kërkesave? Nuk kam dyshime në talentin e tij, por kam dyshime serioze nëse ai do të jetë i përshtatshëm dhe i pajtueshëm me ato që i ka zbatuar Marseille në vitet e fundit. E shoh një fat të tij më shumë si Wahi sesa si Rabiot”, deklaroi konsulenti i “RMC”.
Ditë më parë, edhe gazetarët tjerë francezë e kritikuan Zhegrovën për, sipas tyre, papjekurinë që e ka shfaqur.
Edoni nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga dhjetori i vitit të kaluar, ndërsa po ushtron individualisht qe një kohë derisa të rehatohet në një klub të ri.
Spekulohej se ish-futbollisti i Baselit do të mundë të përfundonte në Itali, ku më së shumti e donte Napoli, madje që nga janari.
Por, me gjasë Zhegrovë mund të vazhdojë të luajë në Francë./Express
Ish-futbollisti francez: Kam dyshime serioze për Zhegrovën / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.