Kombëtarja e Kosovës është në përgatitjet përfundimtare para ndeshjes ndaj Komoreve, në ndeshjen e fundit miqësore para fazës kualifikuese për Kupën e Botës.

Trajneri Franco Foda ka folur para gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e organizimit, qasjes taktike dhe shfrytëzimit maksimal të rasteve për gol.

“Komoret luajnë me sistemin 4-3-3 dhe shumica e lojtarëve të tyre aktivizohen në Francë. Janë të mirë në posedim të topit dhe shumë aktivë në sulm. Në përgjithësi, ndeshja nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet të jemi më stabilë dhe t’i shfrytëzojmë mundësitë që krijojmë, ashtu si ato që i patëm ndaj Armenisë.”

Foda ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë shumë ndryshime në përbërje, edhe pse do të ketë një vlerësim përfundimtar gjatë stërvitjes së fundit.

“Sot kemi stërvitjen përmbyllëse dhe do të shohim cilët lojtarë do t’i angazhojmë. Në bazë të kësaj stërvitjeje do të ketë mundësi edhe për ndonjë ndryshim eventual. Megjithatë, sigurisht që nuk do të eksperimentojmë shumë, sepse është ndeshja e fundit para kualifikimeve të Botërorit në shtator”, ka deklaruar Foda.

Foda: Duhet të shfrytëzojmë rastet, s’do të jetë ndeshje e lehtë ndaj Komoreve / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version