Barcelona ka arritur të mbajë shumicën e yjeve të saj gjatë viteve të fundit, pavarësisht krizës së rëndë financiare që e ka goditur klubin që nga pandemia. Largimet e vetme të mëdha, që nuk ishin pjesë e planit, ishin ato të Lionel Messi dhe Ousmane Dembélé. Tani, Manchester City synon të prishë këtë ekuilibër, duke i vënë sytë Jules Kounde.
Drejtori sportiv Deco e ka bërë prioritet ruajtjen e lojtarëve kryesorë, siç dëshmojnë rinovimet e fundit për Pedri, Gavi, Ronald Araujo dhe Lamine Yamal. Radhën për rinovim duket se e ka Kounde, i cili ka kontratë deri në verën e 2027-ës.
Sipas gazetarit francez Fabrice Hawkins, Manchester City është një nga dy klubet elitare që kanë kontaktuar për Kounde, i cili ka shkëlqyer në qendër të mbrojtjes me Sevillën dhe së fundmi si mbrojtës i djathtë me Barcelonën.
Bisedimet për një kontratë të re kanë nisur që nga shkurti, dhe si lojtari ashtu edhe klubi janë optimistë për arritjen e një marrëveshjeje. Barcelona e konsideron francezin si një nga më të mirët në botë në pozicionin e tij dhe kërkon të mbyllë marrëveshjen përpara verës së ardhshme, kur mund të detyrohet të ulë çmimin e shitjes.
Përveç Cityt, edhe Chelsea dhe Arsenal janë përmendur shpesh si të interesuara. Chelsea ishte pranë firmës me Kounde në vitin 2021 dhe thuhet se është ende në kontakt me agjentin e tij për të testuar terrenin në Premier League dhe për të parë ofertat e mundshme financiare që mund të marrë.
Barcelona, në përpjekje për të shmangur një tjetër humbje të rëndësishme, duhet të lëvizë shpejt për të garantuar të ardhmen e Kounde në “Camp Nou”./Express
City interesohet për yllin e mbrojtjes së Barcelonës / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.