Gjon Shkambi, i arrestuar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, pritet të rikthehet sot në vendin e krimit në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Sipas burimeve gjyqësore, Shkambi kërkon zëvendësimin e masës me një masë më të lehtë sigurie, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ai akuzohet si bashkëpunëtor në ngjarjen e rëndë ku nip i tij, Elvis Shkambi, vrau gjyqtarin Kalaja dhe plagosi dy persona të tjerë.
Ndërkohë, autori i dyshuar Elvis Shkambi nuk e ka ankimuar vendimin e masës së “arrestit me burg” pa afat, duke u pajtuar me vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Në të njëjtën seancë, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë edhe ankimin e Banush Goxhajt, punonjës sigurie në këtë gjykatë, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me ngjarjen tragjike që tronditi sistemin e drejtësisë.
Kështu, Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të dyshuar, kërkon lirimin nga qelia pikërisht në gjykatën ku ndodhi vrasja e gjyqtarit Kalaja.
/vizionplus.tv
