Detaje të reja kanë dalë në dritë nga masakra ne Rinas, ku u vra më breshëri plumbash Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur shoku i tij, Muçi Sheqeri.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autirët që ndodheshin në automjetin Toyota me targa greke e kanë pritur shënjestrën e tyre te rrethrrotullimi i Rinasit.

Dani dhe Sheqeri sapo kishin mbërritur nga Barcelona ne Tiranë dhe pasi dolën nga aeroporti, morën makinën që e kishin parkuar aty pranë dhe u nisën drejt Tiranës. Grupi hetimor ka dyshime të forta se atentatorët kanë patur një informator në aeroport, i cili ka raportuar për lëvizjet e tyre.

Policia ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit dhe ka listuar disa persona dhe episode që do të verifikohen për të parë nëse kanë lidhje me ngjarjen.

Gjithashtu po  hetohen edhe të gjitha mjetet dhe qytetart që janë vënë re duke kaluar disa herë tek porta dalëse e aeroportit, sidomos në momentet para se Dani dhe Sheqeri të shfaqeshin me makinën e tyre.

Në mjetin Toyota me targa greke ndodheshin 4 persona, 3 prej të cilëve qitës dhe shoferi.

Targat rezultojnë të vjedhura në Greqi para një viti ndërsa makina nuk është verifikuar ende nëse është vjedhur ose jo, pasi është djegur plotësisht duke dëmtuar numrin e shasisë.

Brenda makinës janë gjetur 3 kallashnikov dhe një pistoletë. Të 4 armët besohet se janë përdor në atentat, kjo bazuar në pamjet filmike dhe në gëzhojat e gjetura në vendngjarje.

Pasi kanë qëlluar në ecje makinën, një prej autorëve ka zbritur dhe ka qëlluar nga afër Gilmando Danin për tu siguruar që kishte nderruar jetë.

Ndërkohë, burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije se i plagosuri Muçi Sheqeri vijon të ndodhet i intubuar në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë. 40 vjeçari mori 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë.

Pista kryesore e policisë, mbetet ajo e përplasjeve mes grupeve kriminale. Gilmando Dani është një emër i njohur i botës së krimit i konsideruar si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit.

Ai është liruar para një  viti nga burgu ku vuajti dënimin me 12 vite për gjobëvënie si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Emiliano Shullazi.

Nga ana tjetër Muçi Sheqeri rezulton se në muajin shtator është punësuar në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore si agjent, kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi. Por burimet bëjnë më dije se ai nuk ishte i pajisur me certifikatë sigurie.

Drejtuesit e AMP po bëjnë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative që sollën rekrutimit tij, prej shtatorit 2025. Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i AMP Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version