Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në qarkun e Vlorës, ku lumi Vjosë ka dalë nga shtrati duke përmbytur banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore.
Sipas emergjencave civile, prurjet e Vjosës kanë arritur deri në 8.3 metra, duke përmbytur 10 banesa, prej të cilave 7 janë të komunitetit rom në Novoselë dhe 3 në fshatin Fitore.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëmtime edhe në argjinaturën Bishan–Poro, e ndërtuar në vitin 2019, ku si pasojë e erozionit një pjesë e saj ka pësuar dëmtime serioze.
Situata në qarkun Vlorë
Sarandë – Konispol
Në zonën e quajtur Shkallë Qafë Botë dhe nga karburanti në qendër të Konispolit, rruga është e bllokuar për shkak të inerteve të rrëshkitura nga mali. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë së Postës së Konispolit.
Ksamil
Është përmbytur kati përdhe i banesës së qytetarit Qani Sinani. Ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur largimin e ujit nga banesa.
Vrion, Bashkia Finiq
Është përmbytur banesa e shtetasit Dilaver Hyraj. Zjarrfikësit kanë mbërritur në vendngjarje, por largimi i ujit është i pamundur pasi banesa ndodhet në të njëjtin nivel me sipërfaqen e ujit. Banorët janë larguar në kohë.
Metoq, Bashkia Sarandë
Është përmbytur banesa e shtetasit Vaso Çipa, ku zjarrfikësit kanë mundur të largojnë ujin nga objekti.
Aksi rrugor Sarandë – Shijan
Rruga është bllokuar në fshatin Shelegar, pasi lumi Kalasë ka dalë nga shtrati. Qarkullimi i mjeteve devijohet përmes aksit Vrio – Finiq – Shijan.
Çukë, Bashkia Sarandë
Argjinatura e lumit Bistricë është dëmtuar ndjeshëm nga reshjet, duke bërë që uji t’i afrohet banesave. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar.
Defekt në furnizimin me energji – Rrezik mbylljeje të tunelit të Llogarasë
Për shkak të një defekti elektrik në linjën që furnizon tunelin e Llogarasë, tuneli pritet të mbyllet përkohësisht. Sipas inxhinierit të OST Fier, linja nga nënstacioni i Tragjasit deri te tuneli është me difekt dhe aktualisht nuk ka furnizim me energji. Grupet e avarisë janë lajmëruar dhe po punojnë për riparimin.
Situata në Konispol
Në Konispol, rruga Konispol–Postobllok është e bllokuar nga inertet e ardhura nga mali. Rruga Shkallë–Bogaz gjithashtu është e bllokuar pasi një masiv dheu është rrëzuar mbi karrexhatë. Energjia elektrike është ndërprerë në disa zona. Strukturat e bashkisë, emergjencat civile, zjarrfikësit dhe punonjës të tjerë ndodhen në terren dhe po punojnë për stabilizimin e situatës.
