
Në ditën e tij të fundit të vizitës zyrtare në Izrael, kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në konferencën e antisemitizmit në përkujtim të Holokaustit.
Kreu i qeverisë theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim buron nga vlerat më të thella humane dhe historike të popullit shqiptar.
Ai gjithashtu rikujtoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj hebrenjve gjatë luftës, kur populli ynë u shndërrua në një strehë të sigurt për hebrenjtë e përndjekur, duke i mbrojtur ata pa dallim, në frymën e besës dhe solidaritetit njerëzor.
Gazetari Ardit Hoxha, i ftuar në “Quo Vadis” në “Vizion Plus” nën moderimin e Pranvera Borakajt, analizoi vizitën dhe fjalimet e kryeministrit në Izrael.
Ardit Hoxha: Fjalimi i sotëm dhe i djeshmi përballë parlamentit në disa çaste mu duk brenda standardeve të kryeministrit shqiptar. Ka shumë figura letrare, ekzagjerime dhe hiperbola të mëdha, por më bëri përshtypje një moment, ku flet për besimin fetar. Mundohet që t’i përshtatet vendit ku shkon. Politikisht mendoj që pati një lloj tentative për ta “shitur” si diçka të madhe, si një arritje që për herë të parë, pas Trump ai që flet në Knesset është Rama. Kjo nuk është kështu. Në mediat ndërkombëtare, sulmohej Netanyahu se nuk ka akses në liderë të tjerë botërorë dhe mundohet të organizojë një pritje kaq të madhe për liderë të vendeve të vogla.








