Në ditën e tij të fundit të vizitës zyrtare në Izrael, kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në konferencën e antisemitizmit në përkujtim të Holokaustit.
Kreu i qeverisë theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim buron nga vlerat më të thella humane dhe historike të popullit shqiptar.
Ai gjithashtu rikujtoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj hebrenjve gjatë luftës, kur populli ynë u shndërrua në një strehë të sigurt për hebrenjtë e përndjekur, duke i mbrojtur ata pa dallim, në frymën e besës dhe solidaritetit njerëzor.
Ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe në një lidhje të drejpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetarin Aleksandër Furxhi, tha se fjalimet e kryeministrit u vlerësuan në Izrael si më të mirat gjatë 50 viteve të fundit.
Ajo e cilësoi vizitën si historike për vendin tonë dhe theksoi se Izraeli është një partner strategjik i Shqipërisë.
Intervista e plotë
-Vizita është shoqëruar me polemika në Tiranë, ndërsa vlerësimi zyrtar është pozitiv. Cili është bilanci i shkurtër, sipas jush, i kësaj vizite?
Ambasadorja Kumbe: Kjo vizitë është historike për shtetin shqiptar mbi të gjitha, padyshim edhe për kryeministrin Rama. Fjalët e kryeministrit në Parlamentin izraelit, po ashtu dhe në konferencën e antisemitizmit janë konsideruar si fjalët më të mira në historinë e këtyre podiumeve në 50 vjetët e fundit. Ka pasur shumë emocion, të paktën audienca që u ndodh në sallë, sidomos në konferencën e antisemitizmit ku kishte shumë ndjenjë njerëzore dhe padyshim tema është delikate dhe e ndjeshme për të gjithë komunitetin hebre kudo ku është. Sa i takon nivelit politik, padyshim është një nder i jashtëzakonshmë që nga podiumi i Knesset kryeministrit Rama iu dha fjala për t’iu adresuar popullit izraelit, ku pati mundësinë të rreshtonte të gjitha arritjet dhe vlerat e kombit shqiptar ndër vite karshi komunitetit hebrai dhe karshi shtetit të Izraelit.
-U vu re pritja e përzemërt që iu rezervua kryeministrit dhe sidomos nga kryeministri Netanyahu. Dihet që ka polemika në sferën publike ndërkombëtare lidhur me figurën e Netanyahut. Ndaj tij është ngritur akuzë në Gjykatën e Krimeve Ndërkombëtare. Sa ndikoi ky fakt në kuadrin e kësaj vizite?
Ambasadorja Kumbe: Sa i takon marrëdhënieve tona bilaterale, nuk mendoj që pati ndikim. Për ne është i rëndësishëm, Izraeli është një partner strategjik dhe si i tillë për ne është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet bilaterale të jenë në fokus të të dyja shteteve, të dy qeverive për të mirën e të dyja shteteve, por në kontekstin tonë, në të mirën e shtetit shqiptar. Padyshim që polemikat dhe qëndrimet janë pjesë e shoqërive demokratike dhe si të tilla janë të respektueshme në të gjitha aspektet.

