
Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nisi në orën 10:00 me relatore Sonila Bejtjan. I pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj.
“Deklaroj çeljen e seancës plenare publike për çështjen me objekt shqyrtimi me kërkues Erion Veliajn. Subjekte të interesuara Këshilli i Ministrave, Presidenti i Republikës, me objekt shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave datë 25.09.2025 për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, zoti Erion Veliaj si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Shfuqizimin gjithashtu të dekretit të Presidentit të Republikës, data 01.10.2025 për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetare bashkie për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë si i papajtueshëm me Kushtetutën”, tha Kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj.
Pas fjalës së Zaçajt, përfaqësuesit ligjorë të Presidencës kërkuan shpalljen e moskompetencës së Kushtetueses për ankimimin e Veliajt
“Nuk mund të shqyrtojë një akt administrativ, zgjedhjet në Tiranë u bllokuan duhet të kthehet kushtetueshmëria. Paraqesim kërkesën që të anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në këtë shqyrtim. Anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në lëndën e këtij shqyrtimi”, tha Presidenca.
“I qëndrojmë parashtrimit që kemi. Mendojmë se GJK është kompetente për shqyrtimin e kërkesës tonë edhe për aktin e presidentit, procesi për ne është ndarë në dy faza, e propozimit dhe vendimmarrjes dhe tjetra, është garancisë kushtetuese që aktivizohet automatikisht me paraqitjen e kërkesës në të cilën nuk duhet të ndërhyrje asnjë institucion përfshirë edhe presidenca i cikli duhet të presë vendimin e Gjkykatës së Lartë. Aktivizimi para kohe aktivizon efektet juridike të këshillit të ministrave”, tha Mbrojtja e Veliajt.
Pas kësaj kërkese trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendim në lidhje me kërkesën e Presidencës.
Dy ankimet e Veliajt që do të shqyrtohen nga trupa gjykuese
Kujtojmë se në Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtohen dy kërkesa ankimore të Veliajt.
Fillimisht do të shqyrtohet ankimi për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet në Tiranë.
Së dyti, do të shqyrtohet kërkesa ankimore e shfuqizimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij./vizionplus.tv









