Edhe veriu i vendit vijon të jetë i prekur nga përmbytjet pas reshjeve të shiut të rëna me intensitet të lartë.
Në Bashkinë Shkodër gjatë natës ka pasur reshje të dendura, por situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme serioze.
Ndërsa në Vaun e Dejes Reshjet vazhdojnë me intensitet të lartë në territor. Në Fushë-Arrëz ka prezencë gurësh dhe dherash në disa rrugë rurale si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Edhe në Lezhë janë regjistruar reshje intensive gjatë 24 orëve të fundit. Kisha e Barbullojës është mbuluar nga uji, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë menjëherë për të shpëtuar sendet e shenjta.
Pas dy ditësh pune intensive, është mbyllur argjinatura e çarë në Rrile. Mjete të shumta të ushtrisë, bashkisë dhe subjekteve private u bashkuan në ndërhyrjen emergjente për të vënë nën kontroll prurjet e ujërave të lagunës së Vainit.
Edhe pse niveli i ujit është ulur në disa prej këtyre zonave, banorët raportojnë dëme të mëdha si në të mbjella ashtu edhe në blegtorinë e tyre. Uji vijon të jetë ende prezent ndërsa banorët thonë se nuk janë larguar nga banesat e tyre, pasi nuk kanë ku të strehohen.
Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër, rezervuarit Shtodër dhe prurjet në përrenjtë kryesor janë larg pikës kritike.

