Trajneri i kombëtares Silvinjo publikoi listën me 25 lojtarë që do të ketë në dispozicion për dy takimet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Andorrës dhe Anglisë. Ndër emrat që janë ftuar nga trajneri brazilian i përfaqësues kuqezi bie në sy rikthimi i Ardian Ismajlit që është rikuperuar nga dëmtimi që e mbajti jashtë në sfidat e muajit tetor. Risia e vetme, jo si debutues por si rikthim është Indrit Tuçi. Pas lëvizjes nga Çekia drejt kampionatit turk, sulmuesi po luan mirë dhe po shënon me Kaizerispor dhe trajneri e ka parë të arsyeshme ta ketë në grup për dy duelet e rëndësishme.  Jashtë vazhdon të mbetet për arsye dëmtimi mbrojtësi Marash Kumbulla e në vend të tij u konfirmua Klisman Cake, ndërsa Ernest Muçi konfirmohet një lojtar jo më i pëlqyer nga Silvinjo.  Ky i fundit e ka rrëzuar njëherë mirë standartin se ata që kanë më shumë minuta me klubet janë të favorizuar përballë atyre që nuk kanë fare skuadër.

“E kam thënë që nuk është ende momenti që të marrim lojtarë që luajnë 100%. Kemi marrë lojtarë edhe jashtë ekipi, ne për fat të keq kemi një limit, nuk është se kemi 70-80 lojtarë, monitorojmë 40-45. Bajrami nuk luan me klube por ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me ne, është golashënuesi jonë me 7 gola, Bajrami më jep besim kur del në fushë. E vërtetë që nuk jam i kënaqur, as unë e as ai që nuk po luan, por unë duhet të arsyetoj rreth këtyre numrave”, tha Sylvinho .

Më tej, një analizë të shpejte mbi çka e pret Shqipërinë kundër një rivali në dukje modest si Andorra.

 “Unë  respektoj shumë Andorrën, herën e fundit kanë barazuar në miqësore dhe me Letoninë, kanë humbur në shtëpi me Serbinë por që i mbajtën në barazim për një pjesë. janë ekip që nuk dorëzohen. Nuk pësuan 4-5 apo 6 gola nga Anglia. Une e di dhe lojtarët e dinë që është një ndeshje e vështirë, luajnë me zemër e shpirt, mbrohen 90 minuta, bëjnë 100%. Nuk do të jetë e thjeshtë për të fituar”, deklaroi Sylvinho. 

Shqipëria do të nisë grumbullimin të hënën në Barcelonë, vend që është afër nga Andorra ku do të luajmë ndeshjen e parë më 13 nëntor./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version