Liderët e Ballkanit Perëndimor u bënë bashkë këtë të premte në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin “Plani i rritjes, rruga jonë në BE.”
Pas takimit, kreu i qeverisë bashkë me komisioneren për zgjerim, Marta Kos, zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fjalën e tij, Rama komentoi zhvillimet e fundit në drejtësi, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe duke e cilësuar pezullimin e zëvendëskryeministres si një rast unik në historinë evropiane.
Ditën e djeshme, me urdhër të SPAK, GJKKO vendosi dy masa sigurie ndaj zëvendësminsitres Belinda Balluku, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Rama: Nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim, ndër arsyet themelore është edhe fakti se Shqipëria po e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar. Padiskutim që edhe fakti që mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë, dhe në këtë epokë të re Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye.
Sa i përket rastit konkret, dua të them tre gjëra:
Së pari, pavarësia e gjyqësorit nuk është as një slogan, as një manovër politike dhe as një eksperiment i përkohshëm. Është një shkëputje historike nga e kaluara dhe e realizuar vetëm në vitet e fundit. Kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të vendit dhe zhvillime pozitive, duke filluar nga varrosja e kulturës 100 e ca vjeçare të pandëshkueshmërisë. Por ka shfaqur edhe dobësitë e natyrshme të një pushteti të ri dhe reflekse të vjetra antidemokratike.
Së dyti, dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin – dhe jo thjesht për ne – këto reflekse të vjetra antidemokratike të trupave të reja speciale, për ne dhe për mua personalisht, mbrojtja dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë. Sepse, siç thotë edhe një fjalë e mençur, “kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë.”
Së treti, pezullimi nga detyra i një ministri, në këtë rast i zëvendëskryeministres, është një tjetër shfaqje e atyre dobësive që përmenda më lart: të një pushteti të ri dhe të reflekseve antidemokratike. Ky është një rast unik në historinë e Evropës dhe po ashtu edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në vendet e ish-lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar të qeverisë.
Por nëse një prokuror dhe një gjykatës special kanë vendosur të pezullojnë një ministër, duke cenuar një pushtet tjetër të pavarur siç është ekzekutivi, dhe duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja – si gjithmonë. Për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, si parakusht, edhe në këtë rast ekstrem.
E thënë drejtpërdrejt: ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me një lloj tjetër arbitrariteti. Nuk do të angazhohemi në një betejë me drejtësinë. Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe, ndërkohë, do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së cenuar të qeverisë vetëm te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese.

