Rreshjet e dendura që përfshinë juglindjen e vendit për gati 48 orë radhazi kanë lënë pas një situatë të rënduar në disa bashki të qarkut të Korçës.
Gazetari i Vizion Plus Tonin Froku, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus tha se mbi 270 hektarë tokë janë ende nën ujë në fushën e Maliqit, ndërsa përmbytje të konsiderueshme raportohen edhe në Pogradec, Devoll, Kolonjë dhe Pustec.
Frroku deklaroi se në fshatin Progër, uji vazhdon të mbulojë thuajse të gjithë zonën, ndërsa forcat e ushtrisë, policisë dhe emergjencave civile vijojnë kërkimet për 75-vjeçaren e zhdukur.
Pjesë nga intervista:
Cilat janë të rejat e fundit?
Froku: Ka më shumë se pesë apo gjashtë orë që rreshjet e shiut kanë pushuar në juglindje të vendit, por situata vijon të jetë e rëndë. Situata vijon të jetë e rëndë në bashkinë e Maliqit. Në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie, janë më shumë se 270 hektarë tokë të përmbytur në fushën e Maliqit. Situata vazhdon të jetë e rëndë në bashkinë e Pogradecit, në bashkinë e Devollit, në veçanti në fshatin Progër, ku uji vazhdon të jetë prezent pothuajse në të gjithë fshatin Progër. Forca të shumta të ushtrisë, të policisë dhe të emergjencave civile vijojnë kërkimin e të moshuarës, por deri tani nuk ka asnjë shenjë për 75-vjeçaren. E rëndë vijon të jetë situata edhe në bashkinë e Kolonjës, edhe në bashkinë e Pogradecit, dhe të Pustecit. Pra, situata vazhdon të jetë e rëndë në të gjitha bashkitë e juglindjes së vendit, edhe në kushte ku rreshjet e shiut tashmë mungojnë. Megjithatë, duket se pasojat kanë qenë të rënda dhe duhet kohë për t’u rikuperuar nga të gjitha këto çfarë kanë lënë. Këto pasoja u shkaktuan nga 48 orë rreshje shiu të pandërprera në qarkun e Korçës.
/vizionplus.tv

