Në Shqipëri po rritet numri i familjeve që zgjedhin të birësojnë fëmijë. Nëse për vitin e kaluar u mbyllën 12 raste birësimi, këtë vit numri ka shkuar në 23, ndërsa disa të tjera janë ende në procedurë.
“Nëse krahsojmë vitin aktual me atë të 2024 mund të themi që kemi patur një rritje të konsiderueshme si të kërkesave ashtu edhe të birësimeve. Tashmë numri i kërkesave në 2024 ka qenë rreth 17 kërkesa, ndërkohë që në këtë vit ka shkuar rreth 17 deri në momentin aktual por janë 6 të tjerë që janë në proces që konsiderohen të mundshme për të filluar procedurat e birësimit”, thotë Neranxa Alia Dranga, specialiste e shkencave sociale, nga Komiteti Shqiptar i Birësimeve.
Shumica e aplikimeve vijnë nga çifte që nuk kanë mundur të kenë fëmijë biologjik edhe pas metodave in-vitro. Por ka edhe raste ku vendimi merret nga dëshira për t’i dhënë një familje një fëmije në nevojë.
“Kur e kuptojnë që janë të lodhur emocionalisht dhe shanset ulen me moshën, atëherë drejtohen te komiteti kombëtar i birësimit. Sigurisht kemi edhe nga ata që jo domosdoshmërisht e kanë nevojë biologjike, por dëshirojnë të japin një familje për një fëmijë që i mungon ajo familje”, shton Dranga.
Mentaliteti duket se ka ndryshuar gradualisht. Familjet shqiptare po tregohen më të hapura ndaj moshave, gjinisë dhe edhe problematikave shëndetësore të lehta.
“Numri i birësimeve në moshë të vogël është normalisht më i lartë, por në vitet e fundit aplikantët kanë zgjeruar fashën e pranimit të fëmijëve.
Rastet më të suksesshme janë kur dy ose më shumë fëmijë nuk ndahen nga motrat dhe vëllezërit duke u birësuar në një familje, si edhe birësimet e fëmijëve me probleme shëndetësore”, thotë ajo.
Kërkesat më të shumta, sipas Komitetit Shqipëtar të Birësimeve, vijnë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Kavaja dhe Lushnja./vizionplus.tv

